Partia Demokratike e kundërshtoi si antikushtetues kërkesën e Edi Ramës për shkarkimin e Kryetarit të KQZ Klement Zguri.

Partia Demokratike këmbëngul se kërkesa e Partisë Socialiste për shkarkimin e kryetarit të KQZ-së, Klement Zguri është antikushtetuese, e për pasojë duhet të tërhiqet përfundimisht nga rendi i punimeve të Parlamentit.

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha tha se kërkesa cënon pavarësinë e institucioneve.

“Ligji thotë që të shkarkohet kryetari i KQZ duhet të vijë propozimi nga 5 anëtarë të KQZ-së. Keni sjellë ju një propozim nga 5 anëtarë të KQZ-së?! Nuk e keni sjellë. E dini pse?! Sepse motivi me të cilin doni të shkarkoni Klement Zgurin është i rremë. Sepse qendrimi që ka mbajtur Zguri për rastin e kryetarit të Bashkisë së Mallakastrës është qendrimi që ka mbajtur Denar Biba për rastin e kryetarit të Mallakastrës dhe se e gjitha kjo është një përpjekje e mjerë për t’iu imponuar debatit publik me falsitete”, tha Basha.

Kryetari i PD-së tha gjithashtu se marrëveshja e 18 majit ka vdekur dhe akuzoi Ramën për këtë.

“Marrëveshja ka vdekur sepse marrëveshjen e vratë ju, sepse ishte për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Vetëm këtë javë Ramës i ka ardhur raporti i financuar nga BE-ja që thotë se mbi 20 % e shqiptarëve pranojnë se kanë shitur votën, që i është kërkuar shitja e votës”, u shpreh ai.

Top Channel