Kontrata e lobimit të PD, Prokuroria po verifikon. Të hënën PS bën padi Bashës

30/11/2017 10:50

Prokuroria e Tiranës ka nisur verifikimet pas denoncimeve publike për kontratën e lobimit të PD në Shtetet e Bashkuara, në vlerë 1 mln dollarë.

Jo zyrtarisht mësohet se organi i akuzës së kryeqytetit i ka kërkuar KQZ-së dhe PD dokumentacionin dhe pasqyrat financiare, të deklaruara si shpenzime të fushatës.

Prokurorët thonë se ende nuk është regjistruar një procedim penal dhe nuk ka asnjë vepër dhe person nën hetim. Megjithatë PS lajmëroi nga foltorja e kuvendit se do të kallëzojë në prokurori kreun e PD, Lulzim Basha për pastrim parash, të hënën e ardhshme.

“Për herë të parë një parti është përfshirë në një aferë të pistë transaksioni parash. Ke ngritur një furtunë, kazanin e akuzave për përgjimin e dy kriminelëve dhe arrestimin e një biznesmeni me 863 mijë euro në makinë, duke bërë prokurorin sa herë do. Sot është dita të dalësh e të sqarosh ku i ke gjetur 1 mln dollar për të paguar artikuj që nxijnë Shqipërinë? Burimet bëjnë me dije se këto para administrohen nga një person i lidhur me Bashën. Fondi është krijuar në një ishull offshore për të fshehur gjurmët që të çojnë tek Basha. Jemi në kushtet e disa veprave të rënda penale që bien drejtpërdrejt mbi Bashën. Kjo është skema më e pastër e pastrimit të parave. Të hënën do të paraqesim kallëzim penal për Lulzim Bashën për këtë skemë mashtrimi”, tha Taulant Balla, kreu i grupit parlamentar të PS.

Akuzave iu përgjigj vetë Lulzim Basha I cili akuzoi mazhorancës se po kërkon të mbulojë skandalin, ku është i përfshirë ish ministri Tahiri ndërsa ftoi PS që të mos vonojë por ti dërgojë menjëherë dokumentet në prokurori.

“Akuzat për pastrim parash nga PD janë furtunë në gotë për ti ikur të vërtetave për ty, Saimir Tahirin, vëllain e Fatmir Xhafës. PD ka çuar në KQZ sipas ligjit çdo të ardhur. Nga ka asgjë për të fshehur PD. Njeriu që fsheh paratë je vetëm t’i Edi Rama. Ti je ai që duhet të ishte nën akuzë për pastrim parash. Mos prit të hënën. Çoji sot dokumentet në Prokurori”, reagoi Basha.

Prej më shumë se një jave, socialistët akuzojnë PD për lobime ndërkombëtare me para të dyshimta.

Top Channel