“Rakordimi” sekuestron armë dhe municione luftarake, arrestohen dy vëllezër

29/11/2017 15:41

Policia ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Rakordimi”, duke vënë në pranga dy vëllezër, të dyshuar si autorë të disa vjedhjeve, ndërsa janë sekuestruar armë, municione luftarake, një automjet, fenelina policie dhe karta telefoni të kompanive të ndryshme.

Operacioni është zhvilluar nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës në bashkëpunim me Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Shijak.

Policia njofton se personat e arrestuar janë shtetasit Hamid Bala 28 vjeç, banues në Karpen, Maminas, i dënuar më parë për veprat penale” Plagosja”, “Armëbajtje pa leje”dhe “Vjedhje të energjisë elektrike”, si dhe E. B. 16 vjeç, banues në Karpen, Maminas, i dënuar më pare. Grupi hetimor ka zbardhur dhe dokumentuar me prova shkencore dhe procedurale se shtetasit e mësipërm (vëllezër) janë autorë të dyshuar të vjedhjes së magazinës së shtetasit E. Z. , vjedhjes së servisit së shtetasit M.N. ku kanë vjedhur vlera monetare, sende të ndryshme materiale, telefona celularë dhe vjedhjes së një çante, marsup shtetasit S.B.

Në momentin e kapjes së shtetasve të mësipërm si edhe gjatë kontrollit të kryer në banesat e tyre janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provave materiale:

• 1 armë zjarri pistoletë tip “Ecol” , kal. 7.65 mm, së bashku me një kreher me 9 fishekë;

• 1 armë gjahu tipi Shutgan ku brenda folesë së saj gjendeshin 4 fishekë;

• 1 armë gjahu me grykë e cila kishte të stampuar PBERETTA;

• 1 pushkë sportive;

• 1 dorezë arme gjahu shotgan;

• 169 fishekë kal.7.62 mm mod 56;

• 1 automjet tip Benz CLK 230 kompresor së bashku me dokumentacionin dhe të instaluara një palë fenelina policie;

• 6 palë targa;

• sendet e vjedhura në pronën e shtetasve E.Z. dhe M.N.

• 1 palë dylbi;

• 3 telefona Smartphone;

• 11 karta telefoni të kompanive të ndryshme celulare;

• 1 kamer e markës JVC COMPACT VHC;

Top Channel