Edhe Botërori i Klubeve në futboll do të pësojë ndryshime. Kompeticioni i ri i organizuar nga FIFA, do të zëvendësojë Kupën e Konfederatave dhe do të nisë nga viti 2021.
Por cilat skuadra do të kualifikohen dhe si do të ndahen ato pjesëmarrëse në këtë kompeticion të ri?
Nga sa njofton FIFA, kemi të bëjmë me një “Botëror” të vërtetë prej 24 ekipesh, të cilësuara si më të mirat e planetit, apo një lloj grupimi të kampionëve të secilit kontinent, pra që vijnë nga e gjithë bota.
Do të jenë pikërisht kampionët e çdo kontinenti që do të kualifikohen në këtë turne, i cili do të zhvillohet gjatë 3 javëve në verë, përafërsisht nga 10-30 qershor, në përfundim të “Ligës së Kombeve”, e që do të përsëritet çdo 4 vite. 24 skuadrat pjesëmarrëse do të ndahen në 8 grupe me nga 3 ekipe, të parat e të cilave do të kualifikohen për në fazat me eliminim të drejtpërdrejtë, çerekfinale, gjysmëfinale dhe finale.
Pra, një formulë që parashikon 5 ndeshje për ato që do t’i shkojnë deri në fund këtij turneu. Vendi ku do të organizohet për herë të parë? Me shumë mundësi do të jetë Kina.
Sa i përket pjesëmarrësve, 12 skuadra do të kualifikohen nga Europa, 5 nga Amerika e Jugut, 2 nga Afrika, 2 nga Azia dhe 2 nga Amerika e Veriut (të cilave do t’u duhet të bëjnë një “play off” me zonën e Oqeanisë për njërin prej këtyre dy vendeve), shto këtu edhe kampionin e vendit organizator.
Nga Europa sigurisht nuk do të mjaftonte vetëm fituesi i Championsit, kështu që do të marrin pjesë 4 fituesit e fundit, 4 finalistët e fundit dhe 4 të tjerë që kanë renditjen më të mirë të UEFA-s. Sa për shembull, nëse do të merrej për bazë 4-vjeçari i fundit, nga Europa do të merrnin pjesë Reali i Madridit, Barcelona, Juventusi, Atletico Madrid dhe më pas 8 të tjerat sipas renditjes.
Top Channel