Maqedoni, 36 në pranga për dhunën në Parlament. Akuzohet ish-ministri i Brendshëm

28/11/2017 12:10

Ish-ministri i Brendshëm dhe kreu i Byrosë për Sigurinë Publike, Mitko Çavkov, si dhe dy deputetë të VMRO-DPMNE-së janë mes 36 të arrestuarve të martën në Maqedoni, me urdhër të Prokurorisë.

Ata akuzohen për “rrezik terrorist të rendit dhe sigurisë kushtetuese”, në lidhje me ngjarjet e dhunshme në Parlamentin e Maqedonisë më 27 prill të këtij viti.

Deputetët e vënë në pranga janë Kristo Mukovksi dhe Zhaklina Stefanovksa. Mediet raportojnë se, Çavkov u paraqit në Gjykatën Penale për të dëshmuar para gjykatësit të procedurave paraprake.

Ministri Çavkov akuzohet se, atëherë, për dy orë nuk i kishte dhënë urdhër policisë të ndërhynte në Kuvend dhe për të siguruar deputetët e rrahur brutalisht.

Ndërkohë, deputetët e VMRO-DPMNE-së dyshohet se kanë hapur dyert e Kuvendit për të lejuar brenda turmat e dhunshme, siç edhe e dëshmojnë pamjet filmike.

Ziadin Sela dhe Zoran Zaev ishin ata që u lënduan më së shumti nga dhuna në mjediset e brendshme të Parlamentit. Të arrestuarit po merren në pyetje në gjykatë, e më pas do t’u njoftohet masa e ndalimit.

Ndërkohë, ish-kryeministri Nikola Gruevski bëri thirrje për protesta para Gjykatës Penale të Shkupit. Por atij iu bashkuan rreth 150 përkrahës që kundërshtojnë arrestimet e së martës.

Top Channel