Koreja e Veriut kreu testin e radhës së një rakete balistike, e cila fluturoi mbi Japoni dhe ra në oqeanin Paqësor, një veprim që kthen tensionin e lartë në rajon pas një pushimi dymujor testimesh.
Lloji dhe rrezja e veprimit të raketës koreano-veriore nuk dihet, por sipas shërbimeve sekrete ushtarake të Koresë së Jugut, ajo u lëshua nga një platformë e lëvizshme.
Si rrallëherë, lëshimi i raketës u bë natën dhe ekspertët thonë se Peniani kërkon të demonstrojë aftësinë për të reaguar në çdo kohë, ndaj çdo kërcënimi apo sulmi.
Disa raporte të pakonfirmuara thonë se fluturimi i raketës zgjati për 50 minuta, gjë që, nëse është e vërtetë, shënon një rekord për testet e Koresë së Veriut.
Lëshimi i raketës nga Koreja e Veriut pason paralajmërimin në fillim të muajit nga presidenti Donald Trump, i cili këshilloi vendin e izoluar komunist që të mos i provokojë Shtetet e Bashkuara.
Por edhe më domethënës është fakti se, lëshimi i raketës ishte një përgënjeshtrim i Rusisë. Vetëm një ditë më parë, autoritetet ruse thanë se pushimi i gjatë i testimeve tregon se Koreja e Veriut është e gatshme të ulë tensionet në kuadër të propozimit të Moskës dhe Pekinit, që parashikon ndalimin e testeve në këmbim të reduktimit të stërvitjeve ushtarake amerikane dhe koreano-jugore.
Top Channel