Java e fëmijëve jetimë, Bashkia e Tiranës i bashkohet nismës së Presidentit

27/11/2017 15:40

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u ka dhënë kurajë fëmijëve që rriten me një prind apo që nuk kanë asnjërin prej tyre për të ecur drejt suksesit pavarësisht vështirësive.

“Sot më shumë se kurrë në Shqipëri ka shumë nga ata që të japin dorën kur rrëzohesh, sigurisht që ka edhe nga ata që qeshin kur dikush rrëzohet, por në fakt shumica të jep dorën. Më vjen mirë që kësaj here jo vetëm shoqëria, por edhe institucionet janë bërë bashkë për t’i dhënë dorën kujtdo, që në një moment të caktuar jeta e ka rrëzuar, por që duhet të ngrihet me vrap e të ecë përpara drejt suksesit”, tha Veliaj.

Fëmijët e “Zyber Halluit” kanë vizituar ambientet e Presidencës dhe për këtë kryetari i bashkisë falenderoi personalisht presidentin Meta.

“Më vjen mirë që më në fund edhe Presidenca është hapur ndaj publikut, sidomos ndaj fëmijëve. Kështu që, sot meqë është ditë me shi, ditë me erë, kemi marrë atë super këndin e lojërave aty jashtë dhe e kemi sjellë këtu. Shumë faleminderit Presidentit, këshilltarëve dhe gjithë stafit”, u shpreh Veliaj.

Veliaj ka theksuar se fëmijët kanë të drejtë të rriten njësoj dhe nuk duhet të paragjykohen.

“Askush nuk duhet lejuar t’i thotë dikujt se ky është jetim, ndaj ta trajtojmë si gjynah, sikur i ka ndodhur diçka që nuk e rikuperon dot. Po, jeta ka sfida, por unë besoj se kush i kalon mirë këto sfida, kush i kalon me guxim, me optimizëm, bëhet fantastik dhe i dobishëm, edhe i mençur, edhe i zgjuar”, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Top Channel