Gjyqtari mbetet në burg; Donte liri se është sëmurë, Gjykata e refuzon

27/11/2017 10:59

Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda rrëzoi kërkesën e gjyqtarit Shkëlqim Miri, i cili kërkoi ndryshimin e masës së arrestit të vendosur më herët nga Gjykata e Shkallës së Parë.

Gjyqtari i apelit Tiranë, Shkëlqim Miri aktualisht i pezulluar nga detyra edhe me një vendim të KLD-së është i dyshuar për korrupsion pasi sipas Prokurorisë është paguar për të lehtësuar para drejtësisë pozitat e një të kërkuari për vrasje.

Avokati i tij, Ardian Visha i tha Gjykatës se gjyqtari Miri ka probleme shëndetësore dhe për këtë arsye po trajtohet në spitalin e burgut.

Avokati i tha Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda se përveç problemeve shëndetësore, nuk ekziston rreziku që Miri t’i fshihet drejtësisë dhe për këtë arsye ai duhet të lihet i lirë.

Por Gjykata nuk i mori parasysh këto qëndrime duke rikonfirmuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë.

Top Channel