Paris Saint Germain vijon të bindë me lojën e saj, teksa po ‘vret’ kampionatin francez, me distancën e krijuar me ndjekësit, pas vetëm 14 javësh.
Skuadra e trajnerit Emery arriti të triumfojë në Monaco, me rezultatin 1-2, duke u ‘hakmarrë’ për titullin e sezonit të kaluar, por njëkohësisht duke ‘hequr qafe’ një kundërshtar për titull.
Kryeqytetasit gjetën të parët avantazhin, me anë të sulmuesit uruguajan, Edison Cavani, që çoi topin në rrjetë në minutën e 19′. Skuadra e Jardim u përpoq të vërë në vështirësi kundërshtarin, por dukej qartë që nuk kishte fuqinë dhe qartësinë e duhur për ta bërë këtë.
Në fillim të pjesës së dytë, skuadra e Emery-së fitoi një 11 metërsh, që u shndërrua në gol nga blerja më e shtrenjtë e historisë së futbollit, braziliani Neymar.
Monako arriti të hapë sfidën vetëm në minutën e 81-të, kur portugezi Moutinho dërgoi topin në rrjetën e portierit Areola, por koha e mbetur në dispozicion, nuk mjaftoi për të ndryshuar fatin e ndeshjes.
Pas 14 javësh, Paris Saint Germain kryeson me 38 pikë, ose 9 më tepër se 2 skuadrat ndjekëse, Lyon dhe Monaco. Kështu, kryeqytetasit avancojnë të qetë drejt rikthimit në Paris të titullit kampion të Francës.
Top Channel