Pije energjike pa akcizë, shumica synon ndryshime në paketën fiskale 2018

26/11/2017 19:46

Paketa fiskale për vitin e ardhshëm mund të pësojë ndryshime të rëndësishme në minutën e fundit. Top Channel ka mësuar se gjatë miratimit nen për nen në Kuvend, mazhoranca synon të propozojë heqjen e akcizës për pijet energjike.

Sinjalet për një lëvizje të tillë janë dhënë që më parë, nga deputetë socialistë në komisionet parlamentare të Kuvendit. Ervin Bushati, gjatë diskutimeve nen për nen të paketës në Komisionin e Ekonomisë, kërkoi informacion nga Ministria e Financave mbi ecurinë e kësaj takse dhe efektet që ajo ka krijuar në treg.

Rikthimi i debatit mbi akcizën e pijeve energjetike në Komisionin e Ekonomisë, më shumë se i rastësishëm duket rezultat i një vendimi të marrë më lart, në hierarkinë politike të mazhorancës.

Burime konfidenciale nga brenda shumicës, thonë se gjatë votimit nen për nen të paketës fiskale, heqja e akcizës mund të propozohet përmes një amendamenti, i cili pastaj do të kalojë në votim.

Akciza për pijet energjike u vendos në janar të vitit 2014, fillimisht në masën 50 lekë për litër. Por taksa është kundërshtuar fuqishëm nga importuesit e pijeve energjike, të cilët nuk kanë reshtur lobimin për heqjen e saj me argumentin se akciza ka krijuar deformime në treg.

Në paketën fiskale të vitit 2015, pati një tentativë për ta hequr këtë taksë, e cila nuk gjeti mbështetjen e të gjithë deputetëve të mazhorancës së asaj kohe. Ajo që ndodhi ishte vetëm ulja e akcizës nga 50 lekë për litër që ishte fillimisht në 30 lekë për litër, nivel që vazhdon të jetë në fuqi edhe sot.

Gjasat janë që heqja e akcizës për pijet energjike të tentohet sërish. Këtë herë shanset që ajo të realizohet duken më të mëdha, pavarësisht se brenda mazhorancës mund të ketë edhe të pakënaqur me këtë lëvizje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA