Gomonia me hashash, si u bllokua droga, pas 48 orësh ndjekje?

26/11/2017 21:02

Një super-operacion i Rojës Bregdetare greke u finalizua pak para mesnatës së të shtunës me ndalimin e një gomoneje me hashash, në afërsi të ishullit grek Xia.

Në pranga ranë menjëherë 2 shqiptarë dhe 1 italian, që ishin në gomone. Top Channel siguroi pamje ekskluzive me anë të operatorit në Athinë, Ilia Poçi. Siç raportoi nga porti i Pireut, korrespondenti i Top Channel në Athinë, Artur Bibe, operacioni zgjati rreth 48 orë. Gomonia të paktën 12 metra e gjatë, me 3 motorë nga 350 kuaj fuqi secili, u kap në thellësi të ujërave grekë, pasi nisja e saj ishte interceptuar nga brigjet shqiptare.

Autoritetet greke i bënë shenjë gomones të ndalojë, por ishte e pamundur, prandaj filloi një ndjekje e gjatë në ujërat greke. Vetëm pasi u qëllua me snajper, gomonia u ndal dhe personat që ndodheshin në të u arrestuan.

Lënda narkotike u ngarkua në dy furgonë dhe u peshua gjatë ditës së sotme. Po sot ka pasur edhe arrestime të tjera, ndërsa më shumë na tregoi korrespondenti i Top Channel, Artur Bibe.

“Autoritetet greke mundën të peshojnë sasinë e drogës së llojit Kanabis sativa, që u kap në gomone dhe bëhet fjalë për 1600 kg lëndë narkotike, por edhe 4 pistoleta. Policia greke dyshon se sasia ka qenë më e madhe, por mund të jetë hedhur në det nga trafikantët, bashkë me armët tip kallashnikov, me të cilat qëlluan mbi forcat policore greke. Droga është nisur brenda qytetit të Himarës, nga pjesa jugore e qytetit, shumë pranë banesave. Operacioni ka qenë i përgatitur dhe trafikantët kanë rënë në grackën e policisë greke, e cila i la të avancojnë brenda ujërave territoriale të Greqisë, për t’i neutralizuar më pas. Aty ka pasur edhe shkëmbim zjarri mes palëve, deri sa është bërë i mundur ndalimi i gomones, bashkë me trafikantët. Deri tani janë arrestuar 10 persona, 6 shqiptarë, 2 italianë, një grek dhe një bullgar. Ndërkohë pritet që nga momenti në moment, të ketë arrestime të tjera. Gjatë operacionit, ka mbetur i plagosur një shqiptar nga Vlora, që ishte në gomone dhe që po trajtohet në një spital të Athinës”, tregoi korrespondenti i TCH, Artur Bibe.

Top Channel