Arrestohen dhunuesit e çiftit të moshuar në Shkallnur, iu vodhën 160 mijë lekë

26/11/2017 12:12

Katër persona kanë përfunduar në pranga nga uniformat blu, pasi dyshohen si autorë të vjedhjes me dhunë të banesës së një çifti në Shkallnur të Durrësit.

Ngjarja ka ndodhur më 20 nëntor, kur u raportua se 4 shtetas të maskuar kishin dhunuar fizikisht një çift bashkëshortës në banesën e tyre, rreth 3 orë pas mesnatës, e më pas vodhën çfarë gjetën në shtëpinë e 77-vjeçarit e 69-vjeçares.

Të ndaluarit janë Niko e Marsel Papajorgji, 35 dhe 30 vjeç respektivisht, Julian Qamili, 43 vjeç, që të tre nga Durrësi, si dhe Erind Seferkolli, 30 vjeç nga Korça.

Sipas asaj që ka rezultuar nga hetimet e policisë, vëllezërit Papajorgji në rolin e nxitësve dhe ndihmësve kanë bërë roje, ndërkohë që në banesë janë futur Julian Qamili dhe Erind Seferkolli, që kanë dhunuar dhe lidhur çiftin e moshuar. Nga banesa janë vjedhur 160 mijë lekë, e më pas autorët janë larguar nga vendngjarja.

Ndalimi i tyre është bërë i mundur si rezultat i bashkëpunimit të Policisë Kufitare të Kakavijës dhe Drejtorisë vendore të Policisë së Korçës.

Ndërkohë, i moshuari ndodhet në Spitalin e Traumës në kryeqytet nën kujdesin e mjekëve, ndërsa bashkëshortja e tij është jashtë rrezikut për jetën.

Top Channel