Veliaj në Panairin e Brukselit: Kartolina më e mirë për vendin tonë

25/11/2017 13:38

Në Bruksel është çelur një prej panaireve më të mëdha të Europës, “Winter Pret-Christmas Market” ku për herë të parë bëhet pjesë edhe Tirana.

Kreu i bashkisë Erion Veliaj ka qenë i pranishëm në ceremoninë zyrtare të hapjes, ku është shoqëruar edhe nga homologu i tij i kryeqytetit belg, Philip Closse.

“Më vjen mirë që falë mbështetjes së kreut të Bashkisë së Brukselit dhe gjithë grupit të sipërmarrësve, si këtu në Belgjikë, si ata në Shqipëri, bëmë të mundur që të kishim një prezencë në atë që është ndoshta panairi më i madh i fetave të fundvitit sot në të gjithë botën. Në këtë rrugë do të ecin më shumë se 2 milionë njerëz. Jam i sigurt që do të keni mundësi të jeni një kartolinë e Tiranës, një kartolinë e Shqipërisë, e Shqipërisë së mirë, e Shqipërisë që ka nevojë të tregojë imazhin e vet të vërtetë, të tregojë se ka kulturë, se ka njerëz të mençur dhe të ditur, të tregojë që di të gatuajë, që ka një histori, vende të bukura, shije dhe estetikë”, deklaroi Veliaj.

Kreu i Bashkisë së Tiranës theksoi se sot shqiptarët kanë një detyrë historike për të treguar vlerat më të mira të vendit tonë dhe shprehu bindjen se marrëdhëniet që do të krijohen në këtë panair mes njerëzve, janë ato që na bëjnë realisht europianë.

“Ne shqiptarët sot kemi një detyrë historike për imazhin e vendit tonë dhe për të treguar fytyrën e vërtetë të Shqipërisë, një Shqipëri bujare, artiste dhe një Shqipëri që e do të bukurën, e do të mirën dhe punon fort që t’ia mbërrijë të jetë një anëtare e denjë e familjes evropiane. Procedurat për t’u bërë anëtarë të Bashkimit Europian marrin kohën e tyre, por besoj se marrëdhëniet mes njerëzve janë marrëdhënie të pazëvendësueshme dhe marrëdhëniet që do të krijohen sot mes njerëzve dhe gjatë gjithë këtij muaji të festës janë ato që na bëjnë realisht europianë”, u shpreh ai.

Veliaj falënderoi dhe ambasadën tonë në Bruksel dhe organizatat e ndryshme që veprojnë në diasporë për mbështetjen dhe përpjekjet e tyre në këto vite për ruajtjen dhe përcjelljen tek brezi i ri të kulturës dhe të traditave të vendit tonë.

Gjatë vizitës në Bruksel, kryebashkiaku Veliaj u takua edhe me komunitetin shqiptar që punon dhe jeton atje, si dhe vendosi një buqetë me lule në bustin e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Për pesë javë rresht, produktet tipike shqiptare, sikurse janë ato të verave, vaji i ullirit, produktet artizanale, medicinale, si dhe produktet turistike do të promovohen në një nga panairet më të mëdhenj në Europë,. Përgjatë mbrëmjeve, mund të shijohen prodhimet tipike shqiptare, e kombinuar kjo më së miri me performancë artistike nga Grupi i Ansamblit të Tiranës.

Top Channel