Të sëmurë diabetikë udhëtojnë në Tiranë çdo 6 muaj për një vizitë

25/11/2017 15:39

Pacientët me diabet, të cilët janë në stad të avancuar u duhet të udhëtojnë me kilometra të tërë për të ardhur në QSUT çdo 6 muaj në mënyrë që ta përfitojnë me rimbursimin medikamentin me të cilin trajtohen.

“Kam ardhur të marr ilaçin se jam me diabet .Shkova te mjeku i familjes ma dha, shkova tek mjeku specialist ma dha, por më tha duhet të shkosh në Tiranë në QSUT”, shprehet Ilia Plaku, pensionist.

Ndonëse i sëmurë, në moshë të thyer, ky pensionist tregon peripecitë jo vetëm për të ardhur në Tiranë, por dhe për t’u takuar me mjekun specialist që ia aprovon ose jo ilaçin të cilin duhet ta kishte marrë që në fillim të muajit.

“Jam nga Vlora. Jam zgjuar në 3 të mëngjesit për të ardhur. Vij këtu dhe më thotë prit orën 11 që të marrësh një numër për të ardhur në datë 5. Po unë po ika sot nuk vij. Nuk kam ku t’i gjej lekët. 90 mijë pension marrë”, thotë pensionisti.

Janë afro 2000 të sëmurë me diabet të cilët duhet të bëjnë këtë rrugëtim nga zona të largëta të vendit. Mjekët endokrinologe thonë se një gjë e tillë është e panevojshme pasi recetat e tyre mund të firmosen edhe nga mjeku specialist në spitalet rajonale. Por në disa spitale mungojnë mjekët e specialistët. Në ministrinë e Shëndetësisë argumentojnë se kjo bëhet për konsultë më të specializuar.

“Duhet të paraqiten vetëm ata persona me diabet që marrin mbi 12 pena insuline në muaj që do të thotë që janë në një stad të rendë të cilët duhet të vijnë për një konsultë më të specializuar në QSUT”, shprehet Mira Rakacolli, zëvendësministre e Shëndetësisë.

Po jo vetëm për diabetin, pasi në qendrën e konsultës çdo ditë gjen të sëmurë që presin në radhë për të takuar mjekun specialist.

Top Channel