Egjipt, mbi 300 të vdekur nga sulmi i armatosur në xhami (Foto)

25/11/2017 07:30

Mbi 300 të vdekur dhe mbi 100 të plagosur. Është ky bilanci tragjik i sulmit më vdekjeprurës në historinë e Egjiptit modern, që goditi gadishullin e Sinait të premten.

Shënjestër e sulmit me bombë e armë zjarri, u bë xhamia Al Rawda në Bir Al Abed, pikërisht kur po zhvillohej falja e të premtes. Sipas dëshmitarëve, dhjetëra agresorë që mbërritën me automjete, bombarduan xhaminë e mbushur plot me njerëz, para se të hapnin zjarr ndaj besimtarëve.

Imazhet nga vendi i ngjarjes ishin rrëqethëse dhe treguan radhë të tëra me trupa të përgjakur brenda vendit të shenjtë. Spitalet u dyndën nga personat e plagosur. Presidenti egjiptian Abdul Fatah Al Sisi u zotua se do t’i përgjigjej me forcë brutale masakrës, pas bisedimeve me zyrtarë të sigurisë.

Ai shpalli 3 ditë zije kombëtare. Deri më tani, asnjë grup nuk ka marrë përsipër autorësinë e sulmit, por militantë që kanë lidhje me Shtetin Islamik, kanë qenë përgjegjës për një sërë sulmesh që kanë goditur gadishullin.

Megjithatë, ata zakonisht shënjestrojnë kisha, prandaj ky sulm i përgjakshëm në xhaminë që përdoret nga komuniteti i myslimanëve Sufi, ka tronditur Egjiptin. Një degë mistike e Islamit Sunit,Sufizmi pranohet gjerësisht rreth botës myslimane, por disa grupe xhihadiste, përfshirë edhe ISIS-in, i shohin ndjekësit e tij si heretikë.

I gjithë komuniteti ndërkombëtar, përfshirë presidentin amerikan Donald Trump dhe kryeministren britanike Theresa May, dënuan me termat më të ashpër sulmin.

FOTO GALERI
1/6

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA