Skuadra e vetme shqiptare e mbetur në kupat e futbollit europian do të mbyllë aventurën kontinentale më 7 dhjetor, me transfertën në fushën e Young Boys.
Skënderbeu faktoi eliminimin nga Europa League, edhe pse fitoi 3-2 ndaj Dinamos së Kievit, por pavarësisht se nuk arriti dot objektivin e vështirë, skuadra korçare mund të krenohet se do të mbajë të paktën dhe dy javë flamurin kuqezi në arenën ndërkombëtare.
Skënderbeu është ngjitur në vendin e 136 në klasifikimin e UEFA-s, një përmirësim i dukshëm krahasuar me vendin e 204-t që “Ujqërit e dëborës” kishin para se të nisnin ëndrrën europiane.
Por sukseset e formacionit korçar kanë kontribuar gjithashtu në pikaverazhin e Shqipërisë në renditjen e UEFA-s, një vend i 30 që ka ende mundësi të përmirësohet dhe të kalojë Maqedoninë dhe Moldavinë para nesh.
Skuadra e presidentit Ardjan Takaj ka një bilanc të shëndetshëm financiar, pasi deri para vërshëllimës së fundit në “Elbasan Arena” ndaj Dinamos së Kievit kishte fituar 3 milionë e 760 mijë euro. Këtyre i shtohen 360 mijë euro për fitoren ndaj ukrainasve, gjithsesi larg rekordit të fazës së grupeve të dy viteve më parë, kur fitimet e skuadrës korçare shkuan në rreth 6 milionë euro.
Skënderbeu ka tashmë mundësinë të mbyllë edhe më mirë sezonin europian më 7 dhjetor, në Zvicër ndaj Young Boys, pasi një fitore i jep 360 mijë euro, ndërsa nëse ndaj helvetëve merr një pikë do të shtoheshin 120 mijë euro në llogaritë bankare.
Top Channel