Në Shqipëri, investimet më të mëdha po bëhen aty ku prioriteti është më i vogël. Vendgrumbullime mbetjesh pa leje mjedisore, djegie mbeturinash, hedhje mbetjesh spitalore buzë lumenjve.

Keqmenaxhimi i mbetjeve të ngurta konsiderohet si nga faktorët kryesorë të ndotjes në vend.

Drejtori i projekteve pranë Shoqërisë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombetar, Hermann Plumm i tha “Deutsche Welle”-s se, qeveria shqiptare ka vendosur të investojë për herë të parë një shumë të madhe parash, rreth 200 milionë euro, që do të përdoren në dhënien e koncesioneve për ndërtimin dhe funksionimin e inceneratorëve.

Në një kohë kur – sipas tij, – është e nevojshme të ndërtohen landfille më moderne për mbetjet inerte, ato urbane dhe përmirësim të sistemit të grumbullimit.

Ekzekutivi, në këndvështrimin e tij, nuk ka qasje sistematike për problemin e mbeturinave. Nga njëra anë kemi investime të mëdha që vijnë nga qeveria, e nga ana tjetër ka qytete si Kamza, Rrogozhina, Lushnja, ku njerëzit protestojnë kundër hedhjeve të mbeturinave pa kriter, e ku duket se edhe grumbulluesit e autorizuar nga bashkitë hedhin mbetjet në lumenj.

“Kjo është shenjë shumë e keqe, – vazhdon Plumm. – Mendoj se qasja e qeverisë duhet të përqëndrohet dhe të jetë më sistematike, për të krijuar një sistem nga A në Zh dhe jo një sistem që zgjidh diçka këtu dhe në anën tjetër nuk po ndodh asgjë”, shton ai.

Top Channel