“Edhe unë” ishte hashtagu që pushtoi “Twitter”-in pas publikimit të skandalit të regjisorit të “Hollywood”-it, Harvey Weinstein, e që atëherë nuk kanë të rreshtur denoncimet për ngacmime seksuale për shumëkënd. Por ka edhe nga ato që zbulojnë pas shumë vitesh lidhjet e tyre intime…
Këtë herë bëhet fjalë për fushën e sportit, e më konkretisht futbollin.
“Kam pasur një histori dashurie me Maradonën. Nuk e kam deklaruar kurrë publikisht sepse nuk doja që të shpërthente debati. Ishte fillimi i viteve ’90 dhe me Diegon jemi frekuentuar për një vit e gjysmë”.
Kjo është deklarata e bujshme e Carmen Di Pietro, ekskluzivisht për të përjavshmen “Spy”, kur është pyetur mbi jetën e saj private.
Një marrëdhënie “klandestine” mes një “showgirl” dhe “Pibe de Oro”, që në periudhën kur pretendohet se ka ndodhur, e shihte argjentinasin si futbollistin më të fortë të botës, por edhe idhull të padiskutueshëm të Napolit.
“Një mbrëmje kur shkova ta kërkoja në Napoli…”, nis rrëfimin Carmen Di Pietro.
“Unë isha duke bërë dush në një hotel pranë stacionit. Ai erdhi më herët se ç’pritej, ndërsa unë gjendesha ende në vaskë. M’u desh të vishja një rrobëdeshambër dhe të hapja derën, edhe pse isha ende qull. A mund të vazhdoj të të laj unë? Kaq më pyeti dhe u kthyem sërish në vaskë”.
“Një tjetër herë, për mua Maradona braktisi grumbullimin duke u justifikuar se prindi i tij ishte sëmurë… Më tha se sigurisht që po rrezikonte, por po e bënte për mua”, vijon më tej rrëfimin Carmen.
“Në atë kohë isha e lumtur, e lirë dhe ai ishte një idhull. Isha e dashuruar me të, por realisht nuk kisha menduar për martesë. Isha aq e re, kisha hedhur hapat e parë si modele. Në atë kohë flija në trena, e jo më të thërrisja fotografët për të na kapur në foto”, thotë ndër të tjera modelja italiane.
Megjithatë, Maradona nuk është “idhulli i parë” futbollistik nga Napoli që ka pasur një marrëdhënie me Carmen Di Pietron. Në vitin 1993, “showgirl”-i pati edhe një histori të zjarrtë me Daniel Fonsecën, që në atë kohë ishte i martuar.
Top Channel