Veliaj: Buxheti 2018, në fokus zonat rurale

23/11/2017 12:40

Buxheti 2018 i bashkisë së Tiranës konsiderohet si buxheti i zonave rurale. Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, kryetari Erion Veliaj tha se buxheti i vitit që vjen do të jetë 15% më i lartë.

“Vetëm javën e kaluar mbyllëm rrugët që lidhin Shkozën me Porcelanin, rrugët tek Kopshti Zoologjik dhe shumë lagje të reja që kishin ngelur pa u urbanizuar dhe pa u lidhur me pjesën tjetër të Tiranës, sidomos tani që u hap unaza jugore. Më në fund edhe këto zona po shohin ndërhyrje. Fokusin më të madh në dy buxhetet e ardhshme do ta kemi kryesisht në zonat periferike dhe periurbane, pra zonat rurale dhe zona le të themi në periferi të Tiranës, tani që qendra deri diku është ftilluar në fazën e parë të emergjencave të investimeve”, tha Veliaj.

Sa i përket mobilitetit Veliaj bëri të ditur se pas testimit me sukses të autobusëve elektrik gradualisht do të nisë edhe zëvendësimi flotës së mjeteve nga operatorët privat që ofrojnë shërbimin e transportit urban në Tiranë.

“Kemi pasur edhe testimet e para të autobusëve elektrikë në Tiranë, me testimin në linjën Kombinat-Kinostudio dhe 2-3 linja të tjera. Më vjen mirë që testimi shkon me sukses, disa nga kompanitë kanë filluar të bëjnë porositë e para të autobusëve elektrikë. Dua të inkurajoj edhe kompanitë e tjera të bëjnë të njëjtën gjë dhe t’i provojnë Bashkisë së Tiranës që po bëjnë porositë e autobusëve elektrikë. Se janë polakë, kinezë, belgë apo holandezë për ne nuk ka rëndësi, rëndësi ka të fillojë konvertim i flotës drejt autobusëve elektrikë i cili sigurisht nuk do të ndodhë brenda natës. Ajo që kemi propozuar është që çdo vit ne të kemi mbi 20% të flotës që fillon e konvertohet në autobusë elektrikë në bashkinë e Tiranës”, tha Veliaj teksa shtoi se Bashkia e Tiranës po shqyrton dhe propozimin për të krijuar një kompani publike me autobusë elektrik.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës bëri të ditur se në funksion të përqafimit të transportit alternativ dhe të gjelbër, shumë shpejt në Tiranë do të vij një flotë prej 4 mijë biçikletash, ndërsa Bashkia do të vijojë projektin për ndërtimin e një rrjeti minimal korsish biçikletash.

Ai bëri të ditur se Bashkia e Tiranës po vijon sipas planit projektin e ndërtimit të 16 shkollave të reja, krahas investimeve që po bënë me financimet e veta në çerdhe dhe kopshte. Kryetari i Bashkisë së Tiranës e konsideroi lajm të mirë për komunitetin në Tiranë edhe projektin për bashkëpronësinë. Ai tha se tashmë janë shpërndarë 500 certifikatat e para për administratorët e pallateve, ndërkohë që në total janë 2415 pallate që kanë ngritur sot asambletë dhe janë në proces të zgjedhjeve të kryesive.

 

Top Channel