Koncesioni i laboratorëve, Top Channel iu referua dokumentit zyrtar; vlera 100 mln euro

23/11/2017 15:11

Këtë të mërkurë Ministria e Shëndetësisë reagoi pas një lajmi të Top Channel për koncesionin e laboratorëve. Përmes një deklarate zyrtare Ministria pretendon se Top Channel ka paraqitur vlera të deformuara të kontratës për shërbimin laboratorik.

Pretendimi kryesor i ministrisë është se vlera e kontratës nuk do të jetë 100 milionë euro, siç raportoi Top Channel një ditë më parë, por 66 milionë euro.

Pas përfundimit të kontratës me afat 10-vjeçar me vlerë 9.058 miliard lekë ose 66 milion Euro i gjithë investimi i mbetet shtetit”, thuhet në reagimin e Ministrisë.

Top Channel iu referua njoftimit zyrtar të kontratës për koncesionin e laboratorëve, deri më tani i vetmi dokument zyrtar publik për këtë koncesion, pasi kontrata e plotë mbahet e fshehtë nga Ministria. Në të thuhet: “Vlera e Kontratës llogaritur bazuar në mbështetjen financiare të parashikuar për gjithë kohëzgjatjen e saj është trembëdhjetë miliardë e pesë milionë lekë pa TVSH”.

Me kursin aktual euro-lek, 13 miliardë lekë janë saktësisht 97.6 milionë euro. Ky është i vetmi dokument zyrtar i publikuar për këtë koncesion dhe ky është dokumenti të cilit iu referua Top Channel.

Nëse ministria pretendon se shifra që qytetarët shqiptarë do paguajnë për koncesionin e laboratorëve është më e ulët, atëherë mund të publikojë kontratën e plotë dhe Top Channel do të raportojë shifrën e re.

Derisa kontrata e koncesionit do të mbahet e fshehtë nga Ministria, ashtu siç mbahen edhe 3 kontratat e tjera të koncesioneve që ka dhënë ky dikaster, si dializa, check up-i dhe koncesioni e sterilizimit, Top Channel do vazhdojë t’u referohet të vetmes shifër zyrtare të publikuar nga Ministria për shërbimin laboratorik, që është ajo prej 13 miliardë lekë, ose 100 milionë euro.

Top Channel