Dy kinezë dhe një shqiptar janë shpallur fajtorë nga një gjykatë britanike, për pastrimin e parave që besohet se janë produkt i veprimtarisë kriminale. Brenda një periudhe prej dy javësh, ata kanë depozituar nëpër bankat britanike një sasi prej 1.8 milionë stërlinash.
Dy kinezët dhe shqiptari ranë në rrjetën e “NCA”-së, Agjencisë Kombëtare të Luftës kundër Krimit, pas depozitimeve të dyshimta të sasirave të mëdha të parave brenda një periudhe mjaft të shkurtër kohore, prej dy javësh.
Bëhet fjalë për shumën prej 1.8 milionë stërlinash në total. 32-vjeçarja kineze Fen Chen u arrestua nga dedektivët britanikë, menjëherë pasi kishte marrë një çantë me më shumë se 300 mijë stërlina brenda, nga 30-vjeçari shqiptar Fation Koka, në parkingun e një supermarketi në gusht të vitit të kaluar.
Oficerët e Agjencisë së Luftës kunder Krimit, “NCA” gjetën edhe 180 mijë stërlina të tjera të fshehura nëpër çanta dhe vende të fshehta në banesën e kinezes, së bashku me dokumente bankare që dëshmonin depozitimin, si dhe një makinë për numërimin e parave.
Dedektivët gjetën gjatë hetimit edhe mesazhe në telefonat e kinezes dhe shqiptarit, që konfimonin një dorëzim parash në të njëjtin parking në korrik të vitit 2016.
Sipas zyrtarit të “NCA”-së, Kevin Gee, kinezja Fen është kapur në flagrancë me 300 mijë stërlina, që i përkasin një grupi shqiptar të shpërndrajes së drogës. Shqiptari u dënua me 21 muaj burg, ndërkohë që do të riatdhesohet në Shqipëri pas vuajtjes së dënimit.
Top Channel