Më shumë se 25 mijë njerëz nga vendet e Bashkimit Europian kanë zgjedhur të regjistrohen si banorët e të parit komb hapësinor, Asgardia.
Kombi virtual është themeluar në tetor të vitit 2016 nga shkencëtari rus, doktor Igor Ashurbeyli, dhe tani ka më shumë se 143 mijë qytetarë nga e gjithë bota.
Asgardia, që ka marrë emrin nga një qytet mitologjik në qiell, cilësohet si një projekt global, unifikues dhe humanitar. Parimet e tij themeluese përfshijnë garantimin e përdorimit paqësor të hapësirës dhe mbrojtjen e planetit Tokë.
Më herët këtë muaj u lançua sateliti “Asgardia 1”, që çoi të dhënat e qytetarëve të tij në hapësirë, si dhe flamurin dixhital, Kushtetutën dhe emblemën. Ndërsa SHBA, Turqia dhe Kina kryesojnë listën e vendeve, banorët e të cilëve kanë përfituar nga shtetësia e lirë, dhjetëra europianë kanë zgjedhur po ashtu të regjistrohen.
Sipas të dhënave në faqen e internetit të Asgardias, njerëz nga çdo shtet në Bashkimin Europian janë pranuar si qytetarë të kombit hapësinor. Italia ka numrin më të madh të asgardianëve, me rreth 7.000, ndërsa Britania e Madhe ka afro 5.000 qytetarë, e më shumë se 3.000 të tjerë nga Spanja dhe Franca janë nënshkruar po ashtu.
Kushdo mbi moshën 18 vjeç, me një adresë “e-mail”-i mund t’i bashkohet Asgardias, me kusht që ata të pranojnë t’i binden Kushtetutës së saj. Për momentin, ata do t’i mbajnë këmbët fort mbi planetin Tokë, por Asgardia shpreson të krijojë platforma banimi në orbitën e poshtme të Tokës, në të ardhmen.
Objektiv kryesor i Asgardias është njohja nga Kombet e Bashkuara. Por, për ta arritur këtë, Këshilli i Sigurimit të OKB-së duhet të miratojë aplikimin e saj dhe dy të tretat e vendeve anëtare të Asamblesë së Përgjithshme duhet të votojnë për pranimin.
Qytetarët e Asgardias shpresojnë tani të bëjnë një hap më shumë drejt kësaj ëndrre, duke konkurruar për t’u bërë pjesë e Parlamentit të saj, me kandidatë nga e gjithë Europa dhe përtej, që paraqesin vizionet e tyre për kombin e ardhshëm të hapësirës.
Top Channel