Skënderbeu është aktualisht duke u stërvitur në kompleksin “Tropikal” në Durrës, aty ku zakonisht grumbullohet ekipi kombëtar në prag të sfidave ndërkombëtare, miqësore apo kualifikuese.
Kjo është seanca e fundit e Skënderbeut përpara sfidës së të enjtes ndaj Dinamos së Kievit, e vlefshme për ndeshjet e parafundit të fazës së grupeve të Europa League.
Sipas raportimeve nga stërvitja, në dispozicion të trajnerit Ilir Daja janë të gjithë futbollistët, kështu që tekniku do të ketë të gjitha mundësitë e përzgjedhjes së lojtarëve më në formë për t’u përballur me ukrainasit që kryesojnë grupin.
Për këtë ndeshje duket se ka një interesim të madh nga mediet e huaja, teksa të pranishëm në “Elbasan Arena” do të jenë rreth 50 gazetarë të huaj.
Ukrainasit e kanë siguruar tashmë kualifikimin, pasi kryesojnë me 10 pikë grupin B, ndërsa Skënderbeu gjendet në vendin e fundit me vetëm 2 pikë, kurse kundërshtarët e tjerë Young Boys e Partizani i Beogradit janë respektivisht me 5 dhe 3 pikë.
Ndeshja Skënderbeu-Dinamo Kiev do të zhvillohet të enjten në mbrëmje, në orën 21:05, e do të transmetohet ekskluzivisht në paketën Supersport të platformës Digitalb.
Top Channel