Një sasi e madhe dheu e inertesh të nxjerra gjatë punimeve për ndërtimin e godinave të banimit janë hedhur nga një subjekt ende i paidentifikuar nga policia në bregdetin e Durrësit.
Banorë të zonës kanë denoncuar në polici dhe pranë Top Channel këtë masakër mjedisore në zonën bregdetare që shtrihet mes Currilave dhe Kallmit.
Gjatë netëve të fundit, kamionë të ndryshëm kanë shkarkuar pranë ish-repartit ushtarak në Currila sasi dheu e gurësh dhe pavarësisht denoncimit qytetar nuk ështe marrë asnjë masë nga autoritetet vendore.
Sipas banorëve vendas, dherat që depozitohen në Kallm i përkasin themeleve të një pallati që po ndërtohet në lagjen nr.1, pranë shëtitores bregdetare.
Bregdeti i Kallmit në Durrës konsiderohet një nga të paktat zona të padëmtuara nga babëzia e njeriut për ndërtime në bregdet dhe me një potencial real për kthim në një zonë turistike elitare vetëm pak kilometra larg qendrës së qytetit të Durrësit.
Top Channel