Dezertimi i 4 komandove, Bazo: Përgjegjësi individuale. Demiraj: Duhen parë shkaqet

22/11/2017 21:37

Në vorbullën e shumë lajmeve të forta kohët e fundit, një tjetër zhvillim tronditi opinionin publik. Katër komando të Forcave të Armatosura gjatë një stërvitje speciale në Mbretërinë e Bashkuar vendosën të mos kthehen.

Menjëherë lindën shumë pikëpyetje. E para, nëse ishte një akt personal i tyre, reflektim ndoshta i gjendjes së përgjithshme në vend, një akt i nxitur apo diçka nuk po shkon mirë në Ushtrinë shqiptare.

Për të folur për këtë çështje ishin të ftuar në Top Story: Gjeneral Jeronim Bazo, ish-shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura; Kolonel Dritan Demiraj, ish-ministër i Brendshëm; Arjan Dyrmishi, specialist për çështjet e terrorizmit dhe sigurisë; analisti Alfred Lela.

Për Gjeneralin Jeronim Bazo, vendimi për moskthimin e 4 ushtarakëve nga Britania është një përgjegjësi tërësisht individuale. Por për ish-shefin e Shtabit të Përgjithshëm, ky institucion dhe Ministria e Mbrojtjes po bëjnë edhe analizën e duhur për nivelin e jetesës së ushtarakut në Shqipëri. Ndër të tjera Bazo theksoi se ka ardhur koha që të rishikohen pagat e ushtarakëve, të cilat nuk janë shqyrtuar siç duhet prej 2004-s.

“Braktisje e detyrës dhe braktisje e misionit. Dështuan në pjesën e fundit të misionit, atë të kthimit. Akt i pastër i braktisjes së detyrës dhe pse jo edhe dezertim. Ka qenë edhe një lloj tentative për ta bërë kryeartikull, duket se sikur ka një tendencë justifikuese. E ndërron thelb profesionin e ushtarakut, që është një vullnetar profesionist, e jo mercenar. Duke justifikuar aktin për shkak të kushteve të jetës, ngatërrohet me funksionin e ushtarakut me atë të mercenarit. Përgjegjësi e 4 ushtarakëve, ishin me 4-5 vite në shërbim, ende pa hyrë në hierarkinë e gradave. Ata zgjodhën të dalin nga uniforma dhe të kthehen në emigrantë të rëndomtë. Përgjegjësi individuale, por po bëhet MM dhe shtabi i përgjithshëm po bën analizën e duhur, për t’i adresuar rrënjësisht çështjeve të kushteve të jetës së shtrakut, të pagesës etj”, u shpreh Gjeneralin Jeronim Bazo.

Ndërkohë që për ish-ministrin e Brendshëm, Koloneli Dritan Demiraj, teksa dënon aktin e rendë të 4 ushtarakëve, kërkon që të analizohen shkaqet e arsyet pse ndodhin këto gjera. Ai ia atribuon një pjesë të fajit politikës, e cila sipas tij prej 1991-shit e deri më sot ka qenë pozitive ndaj Ushtrisë. Gjatë fjalës së tij Demiraj theksoi se Ushtria është nëpërkëmbur nga ish-ministrja Mimi Kodheli dhe ish-shefi i shtabit Jeronim Bazo.

“FA janë pjesa më e shëndoshë e patriotike e gjithë këtyre vite për Shqipërinë. Jemi të gjithë kundër këtij akti. Dezertim, veprim i turpshëm, të një njësie më të madhe se sa ajo normalja. Aspak e denjë për një vend të NATO-s. Duhet të analizojmë shkaqet e arsyet pse ndodhin këto gjera. Kam folur për pagesat dhe kushtet e jetesës së ushtarakëve. Nga viti 1991 e deri më tani asnjë qeveri nuk ka qenë pozitive ndaj Ushtrisë. FA në 12 vitet e fundit asnjë rritje page, kanë mangësira. Dinjiteti i ushtarakëve është nëpërkëmbur kur ministria drejtohej nga Kodheli e Bazo. Të gjitha pronat e ushtrisë janë dhënë pa miratimin e Komandantit të FA. 736 persona kanë ikur pa lejen e ushtrisë, Bazo ka gënjyer për mua duke thënë se kam dalë jashtë shtetit, ka hequr njerëzit me të rëndësishëm nga Ushtria”, u shpreh Dritan Demiraj teksa thekson se nuk ka asnjë të ardhme në FA, prandaj edhe janë larguar.

Gjeneral Jeronim Bazo shprehet se para marrjes së detyrës nga ai, partnerët kishin arritur një fazë pabesueshmërie ndaj funksionimit të FA, por ndër vite, sipas tij, besueshmëria është rifituar.

“Këto fenomene kanë qenë dhe ne jemi ndeshur. Kur kam marrë detyrën, partnerët kishin arritur në një fazë pabesueshmërie ndaj mënyrës se si po funksiononin gjërat. Kjo ka qenë lufta ime deri këtu. Unë mendoj se ia kemi dalë mirë. FA po shkojnë më mision sërish dhe kjo është një tjetër shenjë besimi. Kemi gjithë këto vite kemi prezencë të shtuar në vendet Baltike, jemi me prezencë të shtuar në Afganistan, në Mali”, u shpreh Bazo.

Por Demiraj reagoi duke thënë se kontributet janë 3 herë më pak, krahasuar me vitin 2013. “Ke larguar elitën”, tha Demiraj duke iu drejtuar Bazos.

Për Arjan Dyrmishi, specialist për çështjet e terrorizmit dhe sigurisë, problemi nuk duhet parë vetëm te 4 komandot që dezertuan, por më gjerë.

“Unë mendoj se problemet që po diskutojmë kanë të bëjmë me një moral të rëndë. Nuk janë vetëm ata katër komando, por ka edhe të tjerë që janë gjetur të përfshirë në akte kriminale, pjesë e grupeve terroriste. Ky është një problem që ka të bëjë me Ushtrinë, derisa trajektorja e transformimit me rekrutë profesionist, vendi ynë nuk ishte i përgatitur për këtë, por kjo ishte një trend dhe e morëm edhe ne. Shërbimi i detyruar ushtarak në vitet 2000 ishte një problem pasi rekrutët nuk po qëndronin. Rekrutim, trajnim dhe mbajtje janë një paketë. Kur rekrutohet një ushtarak, mbi të investohet dhe ai duhet të mbahet. Kjo është një problem më vete. Modeli jonë nuk është ndërtuar i tillë”, u shpreh Arjan Dyrmishi, specialist për çështjet e terrorizmit dhe sigurisë.

Demiraj ndërhyn duke thënë se modeli ka qenë në funksion deri në 2013, por më pas është prishur.

“Ushtria jonë ka pasur probleme edhe me oficerët për t’i mbajtur, para dhe mbas 2013 dhe ky nuk është vetëm një problem për rekrutët. Në përgjithësi ka një rënie morali me institucionet e sigurisë në vendin tonë. Rasti më i fundit ka të bëjë shumë edhe me paketën e shërbimeve”, thotë Dyrmishaj.

Ndërkohë, për analistin Alfred Lela, Shqipëria fitoi siguri me futjen në NATO, por ka humbur sigurinë politike dhe shoqërore.

“Ushtrinë e kemi në NATO qeverinë e kemi në traktatin e Varshavë. Akti është politik dhe social. Ata ikën lanë detyrën dhe do të bëhen emigrantë dhe do të punojnë në të zezë, por kjo nuk është turp. Por sa i madh ka qenë dëshpërimi i tyre shoqëror, për të lënë familjen shoqërinë dhe për të nisur një jetë tjetër nga zero. Për t’u futur në një terren që nuk i dihet e ardhmja. Ne kujtuam se po i ikim tranzicion dhe dëshpërimit, por nuk mendonim se në 2017 komandot do të dezertonin. Ne kujtuam se gjërat përmirësohen me kalimin e kohës. Kemi humbur sigurinë politike dhe shoqërore. Me futjen në NATO kemi fituar sigurinë, por kemi humbur sigurinë politike dhe shoqërore”, tha Alfred Lela.

Top Channel