Ministri i Energjitikës dhe Infrastrukturës, Damian Gjiknuri mbrojti buxhetin dhe planin e qeverisë për të dhënë me anë të partneritetit publik-privat një sërë rrugësh kryesore në vend.
Gjiknuri tha para Komisionit të Ekonomisë se buxheti nuk ka mundësi që të financojë projekte madhore, por që me skemën PPP mund të realizohen.
“Rruga e investimeve me anë të PPP është më e qëndrueshme dhe projektet përfundojnë në kohë. Ne nuk i kemi mundësitë për të financuar rrugët nga buxheti i shtetit dhe me variantin e PPP, do të bëhen vetëm nyjet kryesore kombëtare”, u shpreh ai.
Gjiknuri njoftoi gjithashtu edhe kryerjen e një auditi sa i takon investimit në rrugën Tiranë-Elbasan.
“Projekti ka probleme serioze dhe shembull tipik i rrugomanisë. Duam që rruga të përfundojë sa më parë, por edhe të dalin përgjegjësitë”, u shpreh ai.
Gjiknuri tha gjithashtu se do të kryhet një verifikim dhe më pas anulim i të gjitha licencave të transportit ndërqytetas të dhëna në mënyrë abuzive.
Top Channel