Departamenti amerikan i Drejtësisë depozitoi një aktpadi për bllokimin e blerjes së “Time Warner” nga gjiganti i telekomunikacionit “AT&T”.
Arsyetimi i paraqitur prej administratës amerikane është se, një bashkim i tillë do të rrudhte konkurrencën e do të ngrinte çmimet për konsumatorin.
“AT&T” u zotua të luftojë kundër vendimit, duke e quajtur atë një largim radikal nga praktika amerikane e konkurrencës.
Presidenti Donald Trump doli hapur kundër marrëveshjes që gjatë fushatës së vitit të kaluar, duke i hedhur kështu benzinë zjarrit të polemikave.
Sipas drejtorit ekzekutiv të “AT&T”, Randall Stephenson, blerja kishte qenë në një rrugë të mirë “deri kohët e fundit”. Ai i hodhi poshtë si të ekzagjeruara pretendimet e një ndikimi të mundshëm politik.
Trump ka dalë hapur si kritik i zëshëm i CNN-it, i cili është në pronësi të “Time Warner”. Autoritetet e konkurrencës e kanë mbajtur nën vëzhgim një bashkim të tillë, që kur ai u njoftua për herë të parë në vitin 2016.
Kritikët, të cilët përfshijnë edhe vet shefin e Shtëpisë së Bardhë, argumentojnë se një lëvizje e tillë mund ta përqëndrojë shumë fuqinë e medias. Blerja e propozuar nga “AT&T” do të kombinonte forcën e saj si një prej ofruesve më të mëdhenj të TV kabllor në SHBA, me aftësitë argëtuese të “Time Warner”.
Përpos mëmës së CNN-it, “Turner Broadcasting”, “Time Warner” zotëron edhe studion filmike “Warner Bros” dhe “HBO”.
Që shkrirja të realizohet, nevojitet “drita jeshile” e qeverisë, e nëse ajo do t’i bëjë rezistencë këtij bashkimi, atëherë “Time Warner” dhe “AT&T” mund ta çojnë çështjen në gjyq.
Top Channel