Një asteroid me formë të çuditshme, i zbuluar muajin e shkuar, është konfirmuar tashmë se është i pari që dallohet nga një tjetër sistem diellor.

Astronomët mbetën duke “kruar” kokën, pasi një teleskop në Universitetin e Hauait pikasi objektin më 19 tetor. Por tani, në një raport të botuar në revistën “Nature”, shkencëtarët thonë se asteroidi ishte endur nëpër “rrugën e qumështit” për qindra e miliona vite, para takimit me sistemin tonë diellor.

“Për dekada ne kemi menduar se objekte të tilla ndëryjore ka, por tani, për të parën herë ne kemi prova të drejtpërdrejta se ekzistojnë”, tha Thomas Zurbuchen, administrator i Drejtorisë Shkencore të NASA-s në Uashington.

“Zbulimi historik po hap një dritare të re për studimin e krijimit të sistemeve diellore përtej tonit”, shtoi ai.

Asteroidi i quajtur “ohMohmoh” është rreth 400 metra i gjatë. Gjatësia e tij është rreth 10 herë më e madhe sesa perimetri. Kjo formë jo e zakontë nuk i ngjan asnjë asteroidi apo komete, që astronomët kanë vëzhguar deri më sot në sistemin tonë diellor, sipas NASA-s.

Pas zbulimit në tetor, teleskopët në të gjithë botën, përfshirë atë të Observatorit të Europës së Jugut, u përdorën për të përcaktuar orbitën e objektit, shkëlqimin dhe ngjyrën. Ai udhëton me një shpejtësi prej rreth 38.3 km në sekondë, aktualisht në një largësi prej rreth 200 milionë kilometrash nga Toka.

Ai ka kaluar orbitën e Marsit më 1 nëntor dhe do të hyjë në atë të Jupiterit në maj të vitit të ardhshëm. Ai do të lërë pas Saturnin dhe do të dalë nga sistemi ynë diellor në janar të vitit 2019.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA