Robert Mugabe e injoroi afatin e vendosur prej vet partisë së tij, “Zanu-PF”, për të dhënë dorëheqjen deri mesditën e së hënës.
Drejtuesit e saj thonë tani se do të mbështesin shkarkimin e presidentit dhe procedura mund të nisë që të martën, kur të mblidhet Parlamenti.
Pushteti i njeriut, që e qeverisi Zimbabven për dekada të tëra, është zbehur ndjeshëm pas ndërhyrjes së ushtrisë të mërkurën në mosmarrëveshjet mbi caktimin e pasardhësit të tij në krye të shtetit.
Kriza nisi përpara dy javësh, kur udhëheqësi 93-vjeçar shkarkoi zëvendësin e tij, Emmerson Mnangagwa, në një lëvizje që zemëroi krerët ushtarakë, të cilët e përkthyen si tentativë për t’i hapur të shoqes, Grace, rrugën drejt Presidencës.
Mugabe e tronditi kombin të dielën, kur nuk pranoi të thoshte hapur nëse do ta linte apo jo pushtetin, edhe pse ishte braktisur edhe nga vet partia e tij. Të shtunën, me mijëra persona dolën nëpër rrugë duke i kërkuar atij të lërë postin, ndërsa fjalimin e një dite më vonë, kur 93-vjeçari këmbëngulte se nuk do të shkojë askund, disa e quajtën një “turp të madh”.
“Ky njeri kërkon të shkojë në varr me Zimbabven në duart e veta”, tha për CNN-in një banore e Hararës. Robert Mugabe ka qenë në arrest shtëpie që nga java e kaluar, ndërsa po zhvilloheshin negociata për largimin e tij.
Top Channel