Rama, letër për krimin. I premton kryeministrave të BE se do ta luftojë

20/11/2017 17:18

Këtë të hënë, kryeministri Edi Rama ndërmori një fushatë paralale pranë kancelarive europiane dhe qarqeve politiko-ekonomike për të praruar imazhin e një Shqipërie që disa media ndërkombëtare e kanë cilësuar së fundmi si vend i drogës.

Në një letër të hapur dërguar kryeministrave të vendeve anëtare të Bashkimit Europian dhe të publikuar në prestigjozen “Financal Times”, kryeministri flet për progres në luftën kundër drogës dhe rendit masat më të fundit të qeverisë në luftën kundër krimit të organizuar.

“Ne i kemi çuar përgjegjësitë një hap më tej. Ditët e fundit, qeveria ime ka aprovuar plane ambicioze për të luftuar krimin e organizuar. Ne kemi paralajmëruar liderët e bandave kudo që ata mund të fshihen, ne do t’i gjejmë, do t’i arrestojmë dhe do t’i padisim, duke i besuar sistemit tonë të reformuar rishtazi të drejtësisë, për t’i dërguar këta të akuzuar në burg. Dhe ne do të konfiskojmë pasuritë e tyre të paligjshme. Kulturës kriminale që shqiptarët e kanë duruar për vite të tëra po i vjen fundi. Ne jemi në proces të ndërtimit të një infrastrukture kombëtare për sundimin e ligjit, të ngritur specifikisht për ta çrrënjosur këtë plagë dhe për të parandaluar infektimin e gjeneratave të ardhshme”, thotë Rama në letrën e tij.

Rama informon homologët e tij europianë se për vite me radhë, pas rënies së regjimit komunist, kultivimi i kanabisit shihej si mënyra më e lehtë për t’i mbijetuar kaosit dhe periudhës së vështirë.

Por kryeministri thotë se Shqipëria sot nuk mund të quhet më kryeqyteti europian i kanabisit dhe si provë sjell raportin e Guardia Di Finanza, sipas të cilit në Shqipëri gjatë këtij viti janë zbuluar 150 herë më pak plantacione krahasuar me një vit më parë.

“Shqipëria nuk është më kryeqyteti europian i kanabisit, ashtu siç disa media kanë dëshirë ta quajnë. Industria e kanabisit po vdes. Ne synojmë që ta ndalojmë plotësisht, njëherë e mirë, deri në fund të këtij viti”, thotë Rama.

Kryeministri shpreson që vitin e ardhshëm Shqipëria të çelë negociatat e anëtarësimit me BE-në dhe për këtë kërkon mbështetjen e homologëve europianë.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA