Prania ushtarake në Japoni, SHBA ndalon alkoolin për trupat e saj

20/11/2017 11:06

Ushtria amerikane ka ndaluar të gjithë trupat e saj të vendosura në Japoni të konsumojnë alkool, pas një përplasjeje vdekjeprurëse në ishullin e Okinavës, të lidhur me drejtimin e mjetit në gjendje të dehur.

Për më tepër, ushtarët në Okinava ndalohet të dalin nga baza dhe rezidencat e tyre. Të dielën, një ushtar amerikan përplasi kamionçinën e tij mbi një minifurgon, duke i marrë jetën shoferit të mjetit tjetër.

Në Okinava janë të vendosura gjysma e trupave amerikane në Japoni, por banorët lokalë kanë kohë që ankohen nga prania e rëndë ushtarake.

Në një deklaratë, ushtria amerikane konfirmoi se një nga pjesëtarët e saj ishte përfshirë në aksident dhe tha se alkooli mund të ketë qenë një faktor. Ushtria po ashtu ka lajmëruar se do të nisë trajnime të detyrueshme për të adresuar përdorimin e alkoolit, rreziqet dhe sjelljen e pranueshme për të gjithë trupat e saj në Japoni.

Prania amerikane në Okinava, rreth 649 km në jug të Japonisë, pranë brigjeve të Kinës, është pjesë kyçe e aleancës amerikano-japoneze të sigurisë. Baza mban rreth 26 mijë trupa amerikane. Gjithsesi, ka plane për të zhvendosur një pjesë të saj në një zonë më pak të populluar të ishullit, por shumë banorë vendas duan që baza të largohet tërësisht.

Në vitin 2016, dhjetëra e mijëra njerëz dolën në protesta kundër trupave amerikane. Zemërimi ndaj pranisë amerikane është rritur mes banorëve lokalë, veçanërisht që nga përdhunimi në grup i një 12-vjeçareje, ngjarje për të cilën fajësohen trupat amerikane, në vitin 1995.

Në vitin 2016, vrasja e një gruaje u lidh me një ish-marins, gjë që po ashtu çoi në ndalimin e përkohshëm të alkoolit, si edhe një ndalimqarkullimi gjatë natës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA