Kryetari i grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili ka ironizuar letrën që kryeministri Edi Rama u ka dërguar homologëve europianë, në lidhje me luftën kundër krimit të organizuar.
“Kryeministri, që genjeu banalisht se fitoi mbi kanabisin, tani po u kërkoka ndihmë me letër europianëve. Kryeministri i Shqipërisë është shndërruar në shembullin më të shëmtuar të mashtruesit publik”, ka thënë Vasili në rrjetet sociale.
Ai ka theksuar se, kreu i qeverisë nuk la vulgaritet e banalitet pa nxjerrë nga goja kundër çdo partie, individi e mediaje të të gjitha llojeve, shqiptare e ndërkombëtare, që flisnin për drogën dhe efektin shkatërrimtar të saj për Shqipërinë dhe shqiptarët.
“Nuk la gënjeshtër, manipulim faktesh, ngjarjesh e raportesh për të mohuar, mbuluar dhe përdorur për pushtetin e tij dhe për të blerë vota këtë tragjedi politike e sociale. Sot, po ky kryeminister u dërgon letër shteteve europiane për ndihmë për drogën, që po ky me demek e kishte ‘eliminuar në 99%’”, ka ironizuar Vasili.
Më tej ai ka cituar një deklaratë të Ramës jo më larg se 2 javë më parë, duke u kërkuar qytetarëve që të kuptojnë se me çfarë kryeministri gënjeshtar ka të bëjë.
“Ja ç’thoshte kryeministri: ‘Ne e fituam betejën me kanabisin. Viti 2017 e nxorri vendin nga harta e zezë. Vetëm qorrat që nuk duan të shohin, shurdhët të dëgjojnë, apo kazanët që nuk duan të mësojnë’”, ka mbyllur Vasili postimin e tij.
Top Channel