Banoret e lagjes “Sheshi” në Përmet flenë dhe zgjohen çdo ditë me frikë nga mali. Në mot me shi alarmi është i madh. Pak ditë më parë banorët lajmëruan bashkinë për rrezikun e shkëputjes së dy shkëmbinjve.

Një skuadër e xhenios në bashkëpunim me emergjencat civile evakuuan banorët e lagjes e më pas thërrmuan shkëmbinjtë. Por banorët thonë se ky operacion nuk e shmang përfundimisht rrezikun që u kanoset.

“Por duhet të vënë dhe ca rrjeta mbrojtëse që mos na bien më gurë, se vjet na ranë. Por për ne si qytetarë nuk ka mbaruar plotësisht, se të tërë gurët që janë thyer kanë ngelur atje dhe nëse bie një shi i rrëmbyeshëm, ku do venë ata gurë? Do vijnë poshtë. Duhet të marrin masat”, thotë një banor.

“Më është dëmtuar çatia. Ndërrova tjegullat, ndërrova kulmet. Ai që erdhi tha e rregullova, por tani kur të bjerë shiu nuk jemi të sigurtë nga gurët. Po ra shiu do zbresin poshtë”, thotë një banore e lagjes.

Banorët nuk e harrojnë tragjedinë që erdhi nga mali, 70 vjet më parë kur një rrëshqitje masive dherash nga shpatet e pjerrëta të malit të Dhembelit mbuloi 20 shtëpi duke u marrë jetën 6 personave.

Top Channel