Lulzim Basha doli për mediat dhe thotë se ka prova të pakundërshtueshme që kanë kapur në flagrancë kryetarin e Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako duke bashkëpunuar me grupe kriminale.
“Duke bashkëpunuar me grupet kriminale më të rrezikshme të Durrësit, ku u kërkon të blejnë dhe vjedhin votat”, thotë Basha.
Sipas kryetarit të PD-së, kryebashkiaku i Durrësit është kapur jo vetëm nga shërbimet inteligjente, por edhe nga partnerët ndërkombëtarë.
“Shërbimet inteligjente dhe ato partnere kanë kapur gafil Dakon, që u ka premtuar tendera kriminelëve me miliona euro për të blerë dhe vjedhur votën për Partinë Socialiste”, deklaroi ai.
Basha thotë se kjo është edhe arsyeja e largimit të prokurorit që po hetonte çështjen, por edhe të vetë ish-kreut të SHISH, Visho Ajazi Likës.
“Këto prova janë nën hetim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Këtë fakt e di Gjushi dhe mentori i tij, Edi Rama. Për këtë arsye ata ndërhynë për të larguar prokurorin që po hetonte këtë aferë kriminale. Kjo është një nga çështjet ku gjendet edhe arsyeja e dorëheqjes së papritur të shefit të inteligjencës shqiptare. Rama po përpiqet të shpëtojë Gjushin dhe gjushët e tjerë dhe përmes presionit kriminal ka larguar prokurorin Anton Martini, që po e hetonte çështjen”, u shpreh ai.
Kryetari i PD-së i kërkoi Prokurorit të Përgjithshëm që të thotë para qytetarëve nëse lëvizja e Anton Martinit është bërë për këtë arsye apo jo.
“T’u thotë qytetarëve nëse lëvizja e prokurorit Anton Martini është bërë nën presionin kriminal të Edi Ramës apo jo”, tha ai.
Top Channel