Futbollit italian është futur në ditën e gjykimit. Duke nisur nga ora 12, Këshilli federal i Federatës italiane të Futbollit (FIGC) pritet të marrë vendime të rëndësishme, mbi të gjitha nëse do të votëbesojë apo do të shkarkojë presidentin Tavecchio.
Kjo, sepse kreu i Federatës nuk ka pranuar të dorëhiqet, siç kanë kërkuar shumë të tjerë, mes të cilëve edhe presidenti i “CONI”-t (Komitetit Olimpik Kombëtar Italian), Malagò.
Pas kësaj mbledhjeje do të mësohet nëse do të ndryshojë apo jo e gjithë hierarkia e futbollit italian, por mund të ndodhë edhe që të vijohet kështu siç është aktualisht.
Çështja tjetër e rëndësishme është kombëtarja axurre, për të cilën do të kuptohet qartë se kush do të jetë pasuesi i Venturës së shkarkuar. Carlo Ancelotti mbetet ende një pistë, e nisur javën e kaluar e po ashtu e shuar nga burime që flasin për refuzim nga ana e trajnerit.
Sa i përket Këshillit federal, 17 janë protagonistët, e nëse do të merret e mirëqenë situata aktuale, besohet se 10 prej tyre do të votëbesojnë Tavecchion, ndërsa 7 janë kundër.
Top Channel