Gazeta Observer mundi të sigurojë një listë sekrete me emrat e rreth 100 individëve të shënjestruar nga Harvey Weinstein, në një përpjekje të jashtëzakonshme për të zbuluar se çfarë dinin ata rreth akuzave për ngacmime seksuale nga ai dhe nëse do t’i bënin ato publike.
Lista përmban 91 emra aktorësh, publicistësh, producentësh, financierësh dhe njerëzish të tjerë, që punonin në industrinë e filmit, të cilët Weinstein i identifikoi si pjesë e një strategjie për të parandaluar daljen publike të akuzuesve kundër tij.
Emrat, e shkruar nga vetë Weinstein, iu dhanë një ekipi hetuesish privatë të punësuar nga producenti për të zhdukur pretendimet se ai ngacmoi apo sulmoi seksualisht shumë femra. Dokumenti u hartua në fillim të vitit 2017, rreth 9 muaj para stuhisë që shpërtheu më 5 tetor, kur gazeta New York Times publikoi një seri akuzash për ngacmim seksual ndaj Weinstein.
Detyra e hetuesve ishte të përgjonin individët në listë për të mbledhur informacione se çfarë dinin ata dhe kush do të dilte publikisht. Informacioni i dërgohej më pas Weinsteinit dhe avokatëve të tij. Lista me 91 emrat duket se vërteton raportet se akuzat për ngacmime seksuale ndaj producentit 65 vjeçar ishin një sekret i hapur në Hollivud.
Në listë janë emra të aktoreve të famshme si Rose McGowan apo Laura Madden, që e kanë akuzuar Weinstein respektivisht për përdhunim dhe ngacmim seksual. Lista e Weinstein konfirmon se ai ishte i ndërgjegjshëm se New York Times po grumbullonte dëshmi nga viktimat e tij shumë kohë para se të publikohej lajmi dhe mbase po përpiqej që ti mbyllte gojën atyre.
Top Channel