Ditën e diel luhen 3 ndeshje të javës së 11 të Kategorisë Superiore, ku përballja më kryesore është ajo që do të luhet në Korçë mes Skënderbeut dhe Kamzës. Kjo e fundit ishte e vetmja skuadër, që në fazën e parë u ka marrë pikë kryesuesve të kampionatit.
Trajneri Ilir Daja vlerësoi skuadrën e Kamzës, ndërkohë që pranoi se skuadra e tij nuk është në gjendjen optimale.
“Koha që kemi pasur në dispozicion, ashtu si dhe kundërshtari, ka qenë shumë e paktë. Kështu që do të mundohemi që nesër të imponojmë me forcë lojën tonë, në mënyrë që ta fusim kundërshtarin në atë ritëm dhe në rrjedhën e lojës sonë. Kjo nuk do të thotë që nesër ne duhet të kënaqemi me barazimin”, tha Ilir Daja, trajner i Skënderbeut.
Daja shtoi gjithashtu se nuk ka ndërmend të bëjë rotacion në këtë ndeshje dhe se në fushë do të hedhe formacionin më të mirë.
“Nuk duhet të bëjmë rotacion duke i dhënë hapësira lojtarëve, duhet ta marrin vet, ndoshta me forcë fanellën e titullarit. Kështu që nesër do të zbresin në fushë të gjithë ata lojtarë që mendojmë se do të na çojnë më shpejt te fitorja”, deklaroi Ilir Daja.
Flamurtari do të luajë këtë javë ndaj ekipit të Lushnjes. Trajneri Shpëtim Duro, pas kritikave të lëshuara për kalendarin, e përqëndroi vëmendjen te sfida e kësaj të diele, duke respektuar maksimalisht kundërshtarin.
“Sa i përket ndeshjes, pavarësisht këtyre elementëve, të gjitha ndeshjet e kampionatit janë të rëndësishme, kanë vlerën e 3 pikëve. Edhe në ndeshjen me Lushnjen, pavarësisht pozicioneve në klasifikim, do të kemi përballë një skuadër që duhet vlerësuar në maksimum”, u shpreh Shpëtim Duro, trajner i Flamurtarit.
Ndeshjet e kësaj jave të Superiores janë ndara në dytë ditë dhe, përveç atyre të ditës së dielë, ndeshje do të ketë edhe ditën e hënë, ku spikat përballja mes Kukësit dhe Partizanit.
Top Channel