Roma pushton “Olimpico”-n, triumfon 2-1 ndaj Lacios në derbi

18/11/2017 19:56

Roma është rikthyer te fitorja në një ndeshje derbi në kampionat pas pothuajse një viti, duke mposhtur 2-1 rivalët e përjetshëm të Lacios dhe duke i parakaluar ata në klasifikim.

Ajo e zhvilluar në “Olimpico” pasditen e kësaj të shtune ishte një ndeshje që nisi me një spektakël koreografik në shkallët e stadiumit dhe po aq spektakolar ishte edhe dueli në fushën e blertë, që përveç vendimeve të arbitrit u kushtëzua edhe nga një vendimmarrje e sistemit video “VAR”.

Pavarësisht se në 45 minutat e para dy ekipet nuk arritën të gjenin rrugën e rrjetës, në të dytën ishte një skenë krejt tjetër. Vetëm 4 minuta pas fillimit të pjesës së dytë, Kolarov fiton një 11-metërsh që Diego Perotti do ta shndërronte në gol, ndërsa 4 minuta më vonë do të kontribuonte me një asist për golin e shënuar nga Nainggolan, me një goditje të fuqishme nga distanca.

Me këtë rezultat, u duk se sfida do të mbyllej në favorin e Romës, por në minutën e 72-të ishte një prekje e topit me krah nga Manolas në zonën e rreptësisë, që do të sillte edhe diskutimet nëse ishte apo jo penallti. “VAR”-i do të vendoste në favor të bardhekaltërve, që panë të ngushtonin diferencën me anë të sulmuesit më në formë për momentin, Immobile.

Edhe 6 minutat shtesë të akorduara nga arbitri i ndeshjes nuk ndryshuan rezultatin e takimit, por vetëm sa shtuan minutat e ankthit dhe të grintës në fushën e lojës, që në fund jep verdiktin me një fitore të Romës, që ngjitet në kuotën e 30 pikëve, po aq sa Interi dhe dy më shumë sesa lacialët. Kjo është fitorja e 5-të radhazi për verdhekuqtë, ndërkohë që Lacio frenohet pas 5 fitoresh radhazi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA