Nuk ka fitues në derbin e Madridit, ndërsa tifozët e pranishëm në ‘Wanda Metropolitana’, nuk arrijnë të shijojnë asnjë gol. Një ndeshje mjaft e luftuar dhe me aksione të shpejta, por asnjë prej futbollistëve në fushë, nuk arrin të dërgojë topin në rrjetë.


Pjesa e parë në impiantin e ri të Atleticos ishte e barabartë, me skuadrën e Zidanes që dominoi vetëm në kontrollin e topit. Të 2 skuadrat tentuan të gjejnë golin, por nuk arritën të rrezikojnë asnjëherë seriozisht portat respektive. Vetëm një rast i mirë për gol, që i takoi Realit, është shumë pak për një derbi si ky i Madridit, me 2 skuadra që i kanë dhënë tonin futbollit europian në vitet e fundit.

Edhe 45-minutëshi i dytë ishte mjaft intensive dhe shumë i luftuar nga të 2 ekipet, por topi nuk arriti të shkojë në rrjetë. Ronaldo pati disa mundësi për Realin, por Oblak tregoi sërish një superformë, ndërsa për skuadrën e Simeones, rastin më të mirë e pati Gameiro, që mposhti edhe portierin e Realit, por topi u largua mbi vijën fatale nga francezi Varane.

Përfundon 0-0 dhe të 2 skuadrat madrilene dalin të humbura, ndërsa përfiton Barcelona, që me fitoren e marrë pasditen e sotme, thellon distancën me Realin dhe Atletikon, në plot 10 pikë, pas vetëm 12 javësh kampionat. Katalanasit kryesojnë me 34 pikë, ndërsa 2 skuadrat e Madridit kanë nga 24 pikë secila, në këto 12 javë të para të La Ligës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA