Presidenti i Republikës, Ilir Meta ishte i pranishëm në koncertin e mbajtur në kryeqytetin austriak “Vjena përshëndet Tiranën” kushtuar 105-vjetorit të shtetit shqiptar, ku merrnin pjesë artistë me famë botërore shqiptarë dhe të huaj si dhe personalitete të larta të Austrisë, ambasadorë, etj.
Në fjalën e tij Meta falenderoj organizatorët e këtij koncerti, duke vlerësuar se “Arti është një element thelbësor i jetës politike dhe shoqërore në demokraci dhe mjediset kulturore paraqesin hapësira ku kontaktet ndërkombëtare dhe shkëmbimet midis tyre kthehen në pasuri të përbashkëta dhe kontribuojnë veçanërisht në drejtim të forcimit të miqësisë ndërmjet popujve.Arti, muzika, kultura dhe shkenca, jo vetëm që kanë magjinë për të ndërtuar ura mes popujve, por edhe për t’i paqësuar dhe për t’i bashkuar ata”.
Më tej Kreu i Shtetit theksoi se Shqipëria është shumë me fat që ka pasur mbështetjen e një miku të besueshëm dhe një aleati të fortë siç është Austria.
“Shqiptarët do të jenë përgjithmonë shumë mirënjohës për mbështetjen e palëkundur të ofruar nga Austria për themelimin e shtetit të pavarur shqiptar, gjatë viteve më të vështira të ekzistencës së kombit shqiptar, kundër kërcënimeve të fqinjëve dhe synimeve të tyre për zgjerimin territorial në dëm të Shqipërisë”, deklaroi Meta.
Top Channel