Porto Palermo, ankorohen jahtet, por nuk lejohen peshkarexhat

17/11/2017 21:14

Ushtria shqiptare nuk lejon anijet e peshkatarëve për të ankoruar në Porto Palermo me pretendimin se është por ushtarak, ndërkohë që aty lejohen të ankorohen jahte private. Disa peshkatarë nga Himara dhe Qeparoja denoncojnë në Fiks Fare se peshkarexhat e tyre po mbyten në det dhe autoritetet nuk i lejojnë të ankorojnë në Porto Palermo, i cili është një gji që i mbron nga stuhia.

Gazetarët Fiksit shkuan në Porto Palermo, ku u takuan me një grup peshkatarësh, të cilët kanë vijuar me orë të tëra negociatat që të ankorojnë në këtë mol. Ata ankohen se aty kanë ankoruar sa herë ka qenë koha e keqe, por sivjet nuk i lejojnë, pasi sipas tyre ajo është zonë ushtarake dhe u thonë që të shkojnë në Sarandë, ose në Vlorë dhe Shëngjin.

Por sipas tyre, për të shkuar deri në Sarandë duhen të paktën 3 orë lundrim dhe nëse i zë deti rrezikojnë të mbyten, pasi mjetet e policisë dhe ushtrisë nuk kanë kapacitet që t’i shpëtojnë. Ata thonë se nuk mund të ankorojnë në Himarë gjatë kohës së keqe, pasi rrezikojnë të mbyten anijet nga dallgët e forta. Madje, një mjet lundrues ka pasur dëmtime të hënën, ku i është thyer bashi i anijes, duke rrezikuar mbytjen. Gjithashtu, peshkatarët thonë se ushtria vetëm i ka lejuar të lidhin litarët në mol, veprim i cili rrezikon që anijet të këputen dhe të përplasen dhe jo të mbështeten në mol.

Ushtarët u kanë thënë se nuk lejohet asnjë anije civile, ndonëse aty janë ankoruar dy jahte. Në këto kushte, peshkatarët kërkojnë ndihmën e Fiksit që të paktën të ankorojnë në Porto Palermo kur është koha e keqe, pasi kur është koha e mirë, ata dalin në det dhe ankorojnë në portin e Himarës.

Bashkë me peshkatarët gazetarët e Fiksit shkuan pranë autoritetit portual për të pyetur sepse nuk lejohen të ankorojnë në Porto Palermo, pasi peshkatarët pretendojnë se kanë leje të ankorojnë në çdo port. Por, pavarësisht se ishte orar zyrtar pune, në zyrë nuk kishte asnjë person, pikërisht aty ku duhet të ishte edhe radio për të kontaktuar me kapitenët e anijeve. Peshkatarët thonë se shpesh herë detyrohen të flasin në telefon, pasi nuk përgjigjen në radio.

Fiksi u interesua edhe pranë Qendrës Ndërinstitucionale të Operacioneve Detare, ku gjenerali brigade Ylber Dogjani shpjegoi situatën e krijuar. Sipas tij, bankina e Porto Palermos ka statusin e Portit Ushtarak dhe aty është rreptësisht i ndaluar ankorimi i mjete detare jo ushtarake.

Por, në raste të përkeqësimit të kushteve të motit, peshkatarët lejohen. Sipas tij, pretendimi i peshkatarëve nuk qëndron, pasi kapiteneria e Porteve ka miratuar lejen për tu ankoruar në bankinë për shkak të forcave madhore.

“Shqetësimi ynë konsiston në faktin që peshkarexhat, me përmirësimin e kushteve atmosferike nuk largohen nga bankina, por qëndrojnë pranë saj me pretendimin se kanë defekte teknike dhe qëndrimi pa leje përkatëse mund të shfrytëzohet për aktivitete dhe veprimtari të jashtëligjshme. Sa i përket dy jahteve, nga pronarët është deklaruar se kanë defekte dhe po punohet në bashkëpunim me kapitenerinë e porteve për të mundësuar largimin e tyre dhe kthimin në portin më të afërt”, deklaroi gjenerali Dogjani.

FOTO GALERI
5/5

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA