Hijet e ryshfetit dhe korrupsionit që dy vite më parë përfshinë krerët e FIFA-s dhe të futbollit botëror, tashmë duket se po shtrihen edhe mbi futbollistin më të famshëm të botës, Lionel Messi.
Emri i “pleshtit” argjentinas është përmendur nga bashkëkombasi i tij, Alejandro Burzaco, ish-administrator i deleguar i “Torneos y Competencias”, në atë që është kthyer në dëshminë kyç të procesit që po zhvillohet në Nju Jork.
Në dëgjesën e fundit të zhvilluar dje, e treta në total që e ka pasur për protagonist, Burzaco ka deklaruar se kishte paguar shpesh ryshfete prej 200 mijë dollarësh për Messin dhe futbollistë të tjerë të kombëtares “albiceleste” për të marrë pjesë në miqësoret e organizuara nga Federata argjentinase e Futbollit “AFA”.
Aktualisht në arrest shtëpiak, Burzaco ka arritur një akord me drejtësinë amerikane në këmbim të reduktimit të dënimit. Marrëveshja parashikon që Burzaco të tregojë fije e për pè sesi ishte strukturuar sistemi i ndërlikuar i korruptimit brenda FIFA-s, që doli në dritë dy vite më parë nga një kontroll i autoriteteve zvicerane në hotelin ku ndodheshin krerët më të lartë të futbollit botëror.
Në ditët e fundit, Burzaco ka përmendur emra të fuqishëm, duke nisur nga Julio Grondona, ish-numri një i futbollit argjentinas dhe ekonomist i FIFA-s, për të cilin ka deklaruar se i kishte paguar në mënyrë të paligjshme rreth 15 milionë dollarë për të drejtat televizive të Botërorëve deri në vitin 2030.
Veç Grondonës, i cili u nda nga jeta në korrik të vitit 2014, ish-shefi ekzekutiv i “Torneos y Competencias” ka folur edhe për përfshirjen e grupeve të mëdha editoriale, si “Globo” apo “Televisa”, që kanë hedhur menjëherë poshtë çdo akuzë.
Emri i fundit i përmendur nga ish-drejtuesi argjentinas është ai i Messit, i akuzuar se ka marrë disa herë ryshfete prej 200 mijë dollarësh.
“Po, i paguanim Messit 200 mijë dollarë për çdo ndeshje miqësore të zhvilluar”, ka konfirmuar Burzaco ndaj pyetjes së magjistratit amerikan në krye të këtij hetimi. “Shuma i paguhej atij, e më pas ai ngarkohej me detyrën për ta shpërndarë me disa nga shokët e tjerë të skuadrës”.
Një deklaratë kjo për t’u hetuar më tej, sepse Burzaco nuk ka dhënë detaje të mëtejshme që do të ndihmonin në vërtetësinë e saj, por që me shumë mundësi drejtësia amerikane do të kërkojë më shumë drejt vlefshmërisë.
Top Channel