Në spitalin e Bulqizës gjendja e nxënësve të helmuar ka nisur të stabilizohet. Në një prononcim për Top Channel, drejtori i spitalit, doktor Mura ka bërë me dije se vetëm dy raste të rënda janë dërguar për mjekim të specializuar në Tiranë.
“Menjëherë kemi marrë masat duke përgatitur stafin mjekësor, duke i dërguar në vendngjarje për marrjen e pacientëve. Ministria e Shëndetësisë na ka ndihmuar për transportin me helikopter. Dyshimet janë për helmim nga monoksidi i karbonit. Në spitalin tonë janë paraqitur gati 40 raste, nga të cilat 7-8 kanë qenë në gjendje më të rëndë. Të gjitha rastet janë trajtuar në kohë rekord nga stafi ynë. Drejt Tiranës është transportuar vetëm një rast për trajtim të specializuar, ata që janë këtu janë jashtë rrezikut dhe disa prej tyre janë dërguar në shtëpi, të tjerët janë nën mbikëyqrje”, ka deklaruar Mura.
Ndërkohë, dy të transportuarit kanë mbërritur me helikopter rreth orës 15:00 në QSUT në Tiranë. Një prej tyre është një vajzë që ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa tjetri një burrë 43 vjeç, gjendja e të cilit paraqitet e rëndë dhe po trajtohet në reanimacion.
Top Channel