Bashkimi Europian nuk do ta lejojë Serbinë të bëhet anëtare me të drejta të plota pa dokumentin juridik detyrues në fund të procesit për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.
Kështu u shpreh presidenti serb Aleksander Vuçiç për gazetarët në Arangjellovac. Siç raporton agjencia serbe e lajmeve B92, udhëheqësi serb pranoi se BE kërkon normalizimin e marrëdhënive dhe se kjo duhet të arrihet.
“Nuk bëhet fjalë për njohje, askush nuk po e thotë këtë”, citojnë mediat fjalët e Vuçiç. Ai është shprehur i kënaqur nga takimi i së mërkurës në Bruksel. “Takime të tilla janë të rëndësishme duke qenë se kemi përpara një problem të madh”, vijon Vuçiç.
Pas bisedimeve me shefen e politikës së jashtme Federika Mogerini, në Bruksel tha se Beogradin e pret një periudhë e vështirë e qasjes se çështjes ndaj Kosovës.
“Kapitulli i 35-të, përfshin edhe kapituj të tjerë dhe nuk do të mbyllen derisa te ndodhe normalizimi i marrëdhënieve mes Beogradit e Prishtinës, siç themi ne, apo Kosovës dhe Serbisë, siç thonë ata. Kjo është një detyrë tepër e vështirë për pak njerëz dhe duhet të përfshihen të gjithë qytetaret tanë- prandaj e kemi dialogun e brendshëm.
Në dy tubime kam dëgjuar qëndrime tërësisht të ndryshme, por është rasti të mësojmë disa gjëra dhe po ta kishin bërë këtë para shumë vitesh, mbase disa gjëra do të ishin ndryshe sot. Gjera më të rënda na presin”, tha Vuçiç.
Presidenti serb ka theksuar vazhdimisht se vendi i tij synon integrimet evropiane por njëkohësisht dëshiron të ruaj marrëdhëniet me Rusinë, aleate tradicionale e Serbisë e cila kundërshton po ashtu pavarësinë e Kosovës dhe nuk e sheh me sy të mirë afrimin e vendeve të Evropës Juglindore me strukturat euro-atlantike.
Top Channel