Shndërrohet zona e ish-Frigoriferit, Veliaj: Investojmë në çdo njësi të Tiranës

15/11/2017 12:04

Blloku i banimit tek zona e ish Frigoriferit po shndërrohet në një lagje model për shkak të rikualifikimit. Projekti prek një hapësirë prej 13.2 ha ku përfitojnë rreth 8 mijë banorë dhe biznese.

“Jam shumë entuziast që rikthehemi këtu, pak muaj pasi mbaroi fushata e qershorit, ku së bashku me banorët shkelëm këto rrugica, në Rr. “Besa” dhe në disa lagje midis Unazës së Mesme dhe Unazës së Pestë, ose mes zonës së Bregut të Lumit dhe Bulevardit të Ri. Ne nuk mund të kemi një Tiranë që ecën me dy shpejtësi; një Tiranë që ecën me shpejtësi të jashtëzakonshme te zona e Pazarit të Ri dhe që ndihet si pjesë e qendrës, europiane, me turizëm, dhe një Tiranë që është me marsh të parë, me ngadalësinë e viteve të fundit të tranzicionit, ku shumë prej ndërtimeve informale apo zonave tregtare, siç është zona e magazinave dhe zona e ish Frigoriferit, kanë ngelur pas dore. Kështu që, sot e rikthejmë Tiranën me të njëjtën shpejtësi”, tha kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Kryebashkiaku theksoi se ky projekt do t’i japë zonës jo vetëm rrugë e trotuare më të mira,  por punimet që po kryhen kanë të njëjtën cilësi me projektet madhore në Tiranë, siç është sheshi “Skënderbej” apo “Bulevardi i Ri”.

“Siç po investojmë me ndriçim LED në Bulevardin kryesor dhe në sheshin “Skënderbej”, do vendosim ndriçim LED edhe këtu; siç do të fusim kabujt në tokë dhe gjithë këtë kukurecin e telave nëntokë në qendër, ashtu do ta bëjmë dhe në periferi, për të punuar me të njëjtën cilësi dhe për të mos iu kthyer disa herë punëve. Sigurisht, kemi hyrë në stinën e dimrit, në stinën e reshjeve, do të bëjmë maksimumin që aq sa na lejon koha të ecim shpejt këtë vit dhe të përfundojmë në gjysmën e parë të vitit tjetër”, tha Veliaj.

Ai kërkoi mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e banorëve të zonës për vështirësitë që mund të krijohen gjatë zbatimit të projektit, ndërsa bëri të ditur se kjo njësi, ashtu si edhe gjithë njësitë e tjera të Tiranës, do të ketë mundësi që dy vitet e ardhshme të përfitojnë edhe më shumë investime se sa janë bërë në këto dy vitet e para

Zona në të cilin po zbatohet projekti i rehabilitimit kufizohet nga rrugët: “Besa” – “Siri Kodra” – “Zenel Bastari” – “Haki Rexhep Kodra” (përfshin edhe rrugën tek Nish-Kimike), dhe ka një sipërfaqe prej 13.2 ha. Ky bllok banimi përfshin gjithsej 18 segmente rrugore e sheshe dhe parashikon sistemimin e rrugëve dhe shesheve të bllokut, me elementët e infrastrukturës rrugore dhe urbane, me qëllim përmirësimin e cilësisë së jetës së komunitetit të kësaj zone dhe krijimin e akseseve të lëvizjes me rrugët e tjera të qytetit.

Top Channel