Në kuadër të takimit të Këshillit të Stabilizim-Asociimit, shefja e Politikës së Jashtme të BE, Federica Mogherini ka zhvilluar një takim kokë më kokë me ministrin e Jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati.

Në konferencën e përbashkët për shtyp, zonja Mogherini ka konfirmuar angazhimin për integrimin e Shqipërisë në BE dhe rëndësinë e reformave që Shqipëria po kryen, sidomos ajo në drejtësi.

“Kjo reformë është një çelës shumë i rëndësishëm i integrimit të Shqipërisë. Është një proces transformues dhe që shërben për shumë sektorë si biznesi, etj. Këtu ka shumë vend për përmirësim për të arritur potencialin e plotë, prandaj i kemi dhënë rëndësi kësaj reforme”, ka thënë Mogherini.

Ajo ka përgëzuar institucionet shqiptare që kanë nisur këtë reformë dhe ka garantuar për vijimin e mbështetjes nga KE për implementimin e saj.

“Diskutuam edhe për sundimin e ligjit, luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Duhet vazhduar në këtë drejtim”, ka vijuar Mogherini.

Teksa ka vlerësuar rolin e luajtur nga Shqipëria në Ballkan, shefja e diplomacisë europiane ka nënvizuar se, viti i ardhshëm mund të jetë një shans për vendet e rajonit.

“Jemi dakord që viti 2018 do të jetë një mundësi unike për rajonin në tërësi dhe Shqipërinë, që të përparojë në rrugën e integrimit. Jam e sigurt se presidenca bullgare e BE-së do të punojë ngushtë me rajonin. Jam e bindur se Shqipëria mundet dhe do t’i përdorë 6 muajt e ardhshëm për të bërë hapa kyçe”, ka shtuar Mogherini.

Ndërkohë, ministri Bushati u shpreh se viti 2018 do të jetë një vit vendimtar për Shqipërinë.

“Konstatuam së bashku që ka një proces të konsoliduar të zbatimit të të drejtave dhe detyrimeve që burojnë nga ky proces. Presim që 2018-ta të jetë një vit vendimtar për Shqipërinë dhe ne besojmë se hapja e bisedimeve për integrim do të na ndihmojë. Reforma në drejtësi është një mundësi unike. Diskutuam edhe rezultatet e arritura edhe për luftën kundër krimit të organizuar, edhe këto rezultate janë një produkt i përbashkët edhe me agjencitë ligjzbatuese evropiane. E gjitha kjo dëshmon vullnetin tonë. Arritjet tona përbëjnë një bazë solide për të ardhmen e vendit dhe në kuadër të negociatave”, u shpreh ministri Bushati.

E pyetur për rastin Tahiri, nën hetim nga prokuroria shqiptare pikërisht si i lidhur me klanin Habilaj që akuzohet në Itali për trafik ndërkombëtar droge, zonja Mogherini refuzoi të komentonte.

“Është rregulli im i artë që asnjëherë të mos komentoj mbi hetime që janë në vazhdim dhe që janë pjesë e punës së drejtësisë. Mendoj që asnjëherë nuk është korrekte, për asnjë institucion që të komentojë mbi hetimet që janë në vazhdim”, u përgjigj Përfaqësuesja e Lartë.

Kurse ministri Bushati përsëriti qëndrimin e qeverisë. “E ka thënë kryeministri Rama disa herë, më lejoni të përsëris edhe unë këtu në emër të qeverisë shqiptare, që qëndrimi i mazhorancës dhe qëndrimi i qeverisë do të jetë: respekt i plotë i ndaj vendimeve të gjyqësorit në këtë pikë, edhe kur ato mund të mos na pëlqejnë apo mos të jenë të përshtatshme politikisht”, tha Bushati.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA