Prokuroria e Lushnjes ka zbardhur dinamikën e aksidentit tragjik të ndodhur fundjavën e kaluar, që i mori jetën gazetares së një televizoni kombëtar, Erinalda Isufaj, si dhe shkaktoi plagosjen e tre personave të tjerë, të afërm me viktimën.
Nga hetimet paraprake dhe këqyrjes së vendngjarjes, grupi i hetimit midis të tjerave ka konstatuar tre shkelje të cilat dyshohen se kanë sjellë edhe pasojat tragjike.
Ato janë: tejkalimi i kufirit të shpejtësisë nga 40 që ishte e përcaktuar në 60 kilometra në orë nga drejtuesi i kamionit; manovrimi i drejtuesit të kamionit për të realizuar një parakalim që mbeti në tentativë për shkak të distancës së shkurtër, ç’ka solli në çekuilibrimin e ngarkesës që mbante blloqe mermeri dhe rrëzimin e njërit prejt tyre në rrugë, duke u përplasur me autoveturen tip “Peugeot”, ku udhëtonin viktima dhe të plagosurit.
Një tjetër konstatim i grupit të hetimit, që është edhe më kryesori, është se blloqet e mermerit ishin të palidhur në karrocerinë e kamionit dhe ishin vendosur mbi disa kolona druri.
Vetë drejtuesi i kamionit, Bashkim Pula, për të cilin gjykata ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg”, nuk ka pranuar të japë shpjegime për këtë aksident, duke kërkuar një mbrojtës ligjor.
Përse ndodhin aksidentet, ekspertët: Jo vetëm gjoba
Eksperti auto-teknik Artur Sulçe shpjegon për Top Channel se sa i rëndësishëm është respektimi i rregullave të sigurimit të ngarkesës dhe përllogaritjes së peshës së rëndesës në vendosjen e ngarkesave në kamion, jo nga shoferi por nga persona të përgatitur për këto punë.
“Nëse ata (blloqet e mermerit) nuk janë të ekuilibruar mund ta nxjerrin kamionin nga kthesa, ose kur nuk janë të fiksuar mund të dëmtojnë vetë drejteusin e mejtit apo të tjerë në një manovër apo frenim ndaj ndonjë pengese në rrugë. Pra, në një kthesë kamioni nuk batohet vetëm për shkak të rrezes së kthesës, por për shkak të ndërveprimit të forcave dhe njerëzit habiten. Por ky është elementi i ngarkesës, të cilit duhet t’i kushtohet rëndësi”, thotë Sulçe.
Sulçe ka shpjeguar edhe se çfarë i ndodh kamionit kur ai ngarkohet mbi kapacitetin e përcaktuar.
“Nëse ne do të ngarkojmë një mjet me 10 apo 15 për qind më shumë sesa kapaciteti i tij, atëherë të jeni të bindur që ai mjet nuk mund ta kryejë më funksionin për të cilin është krijuar dhe në një ndalesë, nëse duhet ta bëjë për 30 metra do ta bëjë për 40 apo më shumë metra, ose nuk do ta bëjë fare”, thotë Sulçe.
Top Channel