Franca shënoi dyvjetorin e sulmeve të Parisit, që morën 130 jetë njerëzish në kafenenë, stadiumin “Stade de France” dhe sallën e koncerteve “Bataclan”. Plot 89 prej viktimave u shënuan në këtë të fundit, pjesa dërrmuese e të cilëve ishin të rinj.
Sulmet më vdekjeprurëse të Francës që prej Luftës së Dytë Botërore e sollën hijen e terrorit më pranë se kurrë, por nuk arritën ta mbillnin për një kohë të gjatë frikën e pasigurisë për të nesërmen në zemrën e banorëve të kësaj demokracie të vjetër europiane.
Ceremoninë përkujtimore e drejtoi presidenti Emmanuel Macron.
Shefi i Elizesë shkëmbeu edhe një përqafim me Jessie Hughes, udhëheqësin e grupit muzikor nga Kalifornia “Eagles of Death Metal”, që ishte duke performuar atë natë të kobshme në sallën e mbushur plot me të apasionuar pas muzikës së tyre, që të gjithë të pavetëdijshëm për gjëmën që do të mbërrinte.
“Zemra ime është këtu, e adhuroj këtë vend. Populli francez ishte ai që na e bëri të mundur rikthimin në jetë”, i tha Hughes presidentit të Francës.
Rreth 30 myslimanë francezë e belgë u mblodhën përpara murit të paqes në Paris, për të treguar mbështetjen e tyre ndaj viktimave të sulmeve xhihadiste. 13 nëntorin e vitit 2015, militantët e ISIS-it vranë dhjetëra vetë në goditjet e koordinuara, që synonin të merrnin sa më shumë jetë e të mbillnin terrorin në zemrën e kryeqytetit francez, por edhe atë të vet kontinentit të vjetër.
Që prej atëherë, Franca ka shtrënguar legjislacionin e saj me miratimin së fundi të një ligji që i jep policisë fuqi shtesë mbi bastisjen e pronave, përgjimeve elektronike dhe mbylljen e xhamive apo objekteve të tjera, nën dyshimin e predikimit të gjuhës së urrejtjes. Ligji në fjalë i dha fund edhe gjendjes së tejzgjatur të emegjencës në vend.
Top Channel