Giacomo Agostini, Valentino Rossi e Marc Marquez janë ata që do të diskutojnë titullin e kampionit të kampionëve në Botërorin e MotoGP. E thonë këtë arritjet e këtyre pilotëve, por më shumë flasin shifrat. Nuk është e lehtë që të fitosh kaq shumë tituj në moshën 24 vjeçare, një aspekt ku është bazuar edhe krahasimi mes këtyre 3 fenomeneve.
Marquez të dielën siguroi titullin e tij të 6 botëror në karrierë, 4 në kategorinë MotoGP, 1 në klasin 125 kubikë dhe një titull në Moto2, një seri rezultatesh pozitive që nuk ka precedentë në motoçiklizëm. Kjo sepse vetë Rossi në moshën 24-vjeçare ishte ndalur në kuotën e 5 titujve; 1 në 125 kubik, 1 në 250 kubikë, në 500 kubikë dhe 2 në MotoGP në 2002 e 2003. Për të arritur te titulli i tij i gjashtë, Rossit iu desh të priste një tjetër sezon 2004 gjithnjë në klasin mbretëror.
Akoma më i komplikuar bëhet krahasimi me Giacomo Agostinin pasi në kohën e tij garimi në botërorin e motoçiklizmit nisej në moshën madhore. Pikërisht për këtë arsye Agostini në 1966, moshën 24-vjeçare festoi titullin e tij të parë në 500 kubike. Pas kësaj ai nuk u ndal më duke e çuar në 15 numrin e titujve të fituar duke vendosur një rekord që askush nuk ka qenë në gjendje që ta thyejë deri tani.
Nëse Marquez vijon me këtë ritëm, në rrezik nuk janë vetëm 9 titujt e Rossit, por në shënjestër mund të vihen edhe 15 të Agostinit. Sigurisht që spanjollit do t’i duhet të garojë deri në moshën 35-vjeçare për të vendosur rekordin e ri, një mision që duket i pamundur por kur bëhet fjalë për Marquez për asgjë nuk mund të flitet me siguri.
Top Channel