Dy javë pasi dha dorëheqjen nga kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror pa dhënë asnjë shpjegim publik, Visho Ajazi Lika propozohet nga Kryeministri Edi Rama për ambasador të Shqipërisë në NATO.

Lajmin e konfirmojnë burime pranë Qeverisë, që tregojnë se ky propozim i Kryeministrit është nisur drejt Presidencës dhe pritet tashmë dekreti i kreut të shtetit, Ilir Meta.

Ky zhvillim qartëson edhe dilemat mbi dakordësinë e Ramës me Ajazi Likën para se ai të jepte dorëheqjen nga kreu i shërbimit sekret shqiptar në fund të tetorit, edhe pse në media u hodhën shumë variante.

E ndërsa emri i Visho Ajazi Likës mbërrin në tryezën e kreut të shtetit për herë të dytë brenda dy javësh, një herë për shkarkimin si kreu i SHISH dhe një herë për emërimin si ambasador pranë Aleancë s se Atlantikut të Veriut në Bruksel, Ilir Meta nuk ka firmosur ende propozimin e Kryeministrit për emrin e ri në krye të shërbimit sekret, Helidon Bendon.

Ndërkohë, ambasadori aktual i Shqipërisë në NATO është Leonard Demi. Edhe Demi, ish-deputet i Partisë Demokratike dhe një nga njohësit e çështjeve euro-atlantike u dekretua 4 vjet më parë si ambasador i Shqipërisë në selinë e Aleancës në Bruksel.

Edhe emërimi i tij nga ish-rivalët e majtë ngjalli shumë bujë dhe hamëndje. Ai është në fund të mandatit dhe pas dekretit të Metës pritet të pasohet nga Visho Ajazi Lika, një tjetër propozim ky i Ramës, përtej gardhit të tij politik, por që ndryshe nga Demi, prek shumë linja, duke bërë që të pritet me interes momenti i shqyrtimit të tij, nga Presidenti Ilir Meta.

Top Channel